Enxhi Heti *
Me krisjen e aleancës mes ShBA-së dhe BE-së, trysnia ndaj brigjeve britanike për të mbajtur anë mes aleatëve të saj ka ardhur duke u shtuar. Në kundërpërgjigje të kësaj trysnie dhe duke i paraprirë situatës aktuale, kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftoi parlamentin britanik rreth tre muaj më parë se Britania e Madhe kurrsesi nuk do të zgjedhë mes aleatëve të saj, pasi interesi më i lartë i vendit dikton bashkëpunim si me ShBA-në, ashtu edhe me BE-në. Me të bërë të ditur vendimin strategjik të administratës së tij, ai u përpoq menjëherë që ta vleftësonte atë duke i rikujtuar kombit anglez se as vetë administrata e Churchill-it nuk kishte pranuar të bënte një zgjedhje të tillë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht që, kjo ndërmendje e frymëzuesit të qëndresës britanike dhe evropiane kundër Gjermanisë naziste, mund të interpretohet si një përmendje sporadike që i shërben një pikësynimi të mpakur kontekstual.
Sikurse pohon edhe vetë Heidgger-i, prania e vërtetë e dikujt nuk ka të bëjë me përmendjen e drejtpërdrejtë të emrit të tij, çka mbështet natyrën sporadike të përtëritjes së figurës së Churchill-it në ligjërimin politik britanik. Është sërish Heidgger-i ai që përcakton se prania e vërtetë e dikujt ka të bëjë me mënyrën se si ai evokohet, dhe ndërkallja e frymës ligjëruese të shtetarit britanik në ligjërimin politik francez, në një kohë kur Evropa po fërgëllon në pasiguri, është padyshim përpjekje për ta evokuar atë. Por, ndryshe nga Keir Starmer-i, Macron-i është shumë larg të qenit sporadik e kontekstual.
Në një deklaratë tepër të guximshme (dhe me gjasë historike) për shtyp drejtuar drejtpërdrejtë kombit francez e disi më tërthorazi komunitetit evropian, z. Macron i dha zë një shqetësimi që pëshpëritet rëndom në rrethet e elitave dhe të masave: ngjarjet aktuale historike po tronditin rendin botëror dhe po na shpien drejt një epoke të re. Trajtesa e tij filloi me një përshkrim të përmbledhur të situatës së luftës, tashmë globale, që po zhvillohet në kufijtë e Evropës dhe po bombardon dita-ditës sigurinë e saj. Në përçapje për të kundër ekuilibruar propagandën amerikane, ai e rivendosi pa humbur kohë narrativën e luftës ruso-ukrainase sa më pranë të vërtetës, duke i vënë Rusisë etiketën e agresorit dhe duke e pozicionuar Ukrainën në rolin e viktimës. I mirinformuar për shtimin e ritmeve të prodhimit të armatimeve në Rusi, presidenti francez ngriti pikëpyetje për grykësinë ruse dhe kërkoi armatosjen e Evropës, duke vënë njëkohësisht kapacitetin bërthamor të Francës (i katërti në rang global) në dispozicion të mbrojtjes evropiane, për të aktivizuar kështu “frenimin bërthamor”. Me të hedhur këtë propozim në tryezën e madhe evropiane, Macron-ibëri thirrje për vendimmarrje të menjëhershme, dhe i atribuoi vendit të tij cilësinë e një aktori kyç për rikthimin e sigurisë në kontinent. Udhëheqësi politik i Francës, artikuloi një përmbyllje tepër strategjike të deklaratës për shtyp, ku pasi përlëvdoi besnikërinë e “tokës së revolucionarëve” ndaj të vërtetës, lirisë, paqes dhe demokracisë, mobilizoi të gjithë Evropën në sendërtimin e mbrojtjes së saj dhe mbjelljen e farave për të ardhmen.
Ky fjalim i strukturuar në gjashtë etapa, qendërzohet rreth mbrojtjes dhe Evropës së bashkuar, duke risjellë kështu frymën ligjëruese të Churchill-it në vitin 1940, pavarësisht konteksteve sa të ndryshme (Evropa e sotme nuk është e pushtuar), aq edhe të ngjashme (edhe Evropa e sotme po përballet me kërcënime të jashtme) historike. Thirrja e Macron-it për një Evropë të Bashkuar, të kujton, ndonëse me nota më pak dramatike, grishjen e Churchill-it për bashkim, vetëvendosje dhe qëndresë në fjalimin e tij të famshëm “We will fight on the beaches”, me anë të të cilit mobilizoi britanikët, evropianët dhe amerikanët në luftë kundër Fyhrerit. Politika e tij për riarmatosje dhe mbrojtje bërthamore kundër Rusisë i shëmbëllen politikës së luftës totale të administratës së Churchill-it kundër tiranisë, të deklaruar në fjalimin e tij të parë “Blood, toil, tears, and sweat”, drejtuar Dhomës së Ulët në 1940-n. Në po të njëjtin fjalim, ai shprehu besimin se nëse Britania do t’i bënte ballë monstruozitetit nazist, e gjithë Evropa do të ishte e lirë, çka përkon me vizionin tashmë të artikuluar të Macron-it se Franca do të luajë rol kyç dhe unik në këtë epokë të re të politikës evropiane. Të njëjtin besim, se Britania ishte fanari i lirisë për Evropën dhe botën, ai e shprehu edhe në fjalimin e tij “This is our finest hour”, të po atij viti.
Megjithatë, fryma ligjëruese e Churchill-it dhe e Macron-it nuk përbashkohen vetëm nga thirrja për unitet përballë kërcënimeve të jashtme apo strategjia e mbrojtjes. Fjalimet mjeshtërore të Churchill-it gjatë vitit 1940 ndërthurnin harmonishëm strategjinë ushtarake, moralin kombëtar dhe udhëheqjen, me qëllim që të ndizte besim ndër kombe, pavarësisht terrinës së kohës. Kështu, ai printe Britaninë në luftën e saj për qëndresë, por përpiqej njëkohësisht edhe për unifikimin e Evropës në luftën e saj për mbrojtjen e paqes, lirisë dhe të së drejtës. Krejt ngjashmërisht, Macron-i ka marrë përsipër, prej disa vitesh tashmë, rolin e mbrojtësit të Francës dhe po vetë-projektohet ndërkohë si udhëheqësi i Evropës së bashkuar në tentativën e saj (mbase) të fundit për të kapërcyer krizën me të cilën po përballet prej më se tre vitesh. Njësoj si Churchill-i asokohe, Macron-i është i vetëdijshëm se nuk mjafton vetëm Franca - atij i duhet të hedhë komunitetin evropian në veprim për mbrojtje kolektive strategjike, duke i ofruar një zgjidhje të prekshme, planin e riarmatosjes, dhe një garanci të besueshme, frenimin bërthamor, siç i shkon për shtat një udhëheqësi.
Një e përbashkët tjetër që pikas kjo analizë krahasuese është rëndësia që të dy u japin aleancave. Në fjalimin etij “We will fight in the beaches”, Churchill-i shprehu bindjen e palëkundur se nëse Britania do t’i nënshtrohej tiranisë naziste, do të ishte kolonia e saj përtej detit ajo që do nxitonte në shpëtim të së vjetrës. Një përpjekje e tillë u sendëzua më vonë me aktin e huadhënies dhe qiramarrjes mes dy aleatëve dhe hyrjes së ShBA-së në luftë. Orvatje të tilla për aleancë i gjejmë edhe te Macron-i, ku ai pohon përfshirjen e tij në një turne të gjatë diplomatik mbarë-vropian në kërkim të njehsimit të qëndrimeve politike, i cili u materializua me miratimin e një plani prej 800 miliardë dollarësh për riarmatosjen e Evropës, hollësitë e të cilit do të bëhen të ditura gjatë këtij muaji nga Këshilli i Evropës. Megjithatë, ndryshe nga Churchill-i, Macron-i nuk ka më shpresë se “Bota e re” do vijë në shpëtim të “Kontinentit të vjetër”, ndaj e kërkon aleancën jo përtej detit, por brenda rajonit. Së fundmi, ligjërimi i Churchill-it ishte po aq vizionar sa i Macron-it: Churchill-i e shihte Britaninë si faktor vendimtar për rindërtimin e botës së re të pasluftës, e cila do të begatonte në demokraci, sikundër Macron-i po e projekton Evropën e armatosur si aktor të pavarur gjeopolitik, të aftë për të kundërpeshuar antagonizmin e Uashingtonit dhe të Moskës në arenën ndërkombëtare, falë Francës sigurisht.
George Santayana na mëson se historia përsëritet. Nga ana tjetër, vetë historia ka treguar se është në gjendje të përsërisë vetveten. Përsëritja e historisë do të kërkonte logjikisht edhe përtëritjen e figurave qendrore të së shkuarës historike. Nëse Rusia putiniste do të na shpërfaqet në profilin e Gjermanisë naziste, nëse Ukraina do të renditet në analet e historisë përkrah Polonisë së vitit 1939, nëse Putini do t’i pranëvihet Hitlerit, nëse Donald Trump-i do të krahasohet me Roosvelt-in, sigurisht që do të ketë edhe një Churchill. Veçse këtë herë, Churchill-i i ditëve të sotme, po flet frëngjisht!
* Enxhi Heti ka mbaruar studimet në nivelin MasterShkencor për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës, me specialitet politikat e jashtme të fuqive të mëdha e të vogla