Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Ministrat duhet të jenë domosdoshmërisht deputetë

Shkruar nga Liberale
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Ministrat duhet të jenë

Ervis Iljazaj

Emërimi i Blendi Gonxhes në krye të një super ministrie, tregoi edhe njëherë filozofinë e Edi Ramës për rolin dhe tipologjinë e ministrave të tij. Në 10 vite qeverisje, sidomos në dy mandatet e fundit, ministrat e qeverisë ‘Rama’ kanë qenë njerëz pa peshë politike. Madje në disa raste, më parë se të bëheshin ministra nuk i njihte kush.

Edhe emërimi i fundit tregon pikërisht këtë gjë. Ndarja që Edi Rama i ka bërë ministrave nga politika. Blendi Gonxhe vjen në krye të një super ministrie nga burokracia e administratës, siç është drejtoria e patentave dhe jo nga ndonjë betejë politike, peshë politike brenda Partisë Socialiste apo grupit parlamentar të saj. Të kuptohemi kjo nuk do të thotë që ata janë ministra të këqij domosdoshmërisht. Blendi Gonxhen e njoh pak  dhe nuk dua aspak ta paragjykojë. Madje  në drejtorinë që ka drejtuar shërbimet janë përmirësuar ndjeshëm.

Por nuk është ky thelbi i emërimit të tij në krye të një super ministrie. Rrallë ndodh në ndonjë vend tjetër që të marrësh një drejtor në një drejtori çfarëdo të administratës dhe ta emërosh ministër. Aq më tepër në republikat parlamentare ku ministrat janë gjithmonë njerëz me peshë politike. Sepse në formën e qeverisjes parlamentare njerëzit nuk votojnë për kryeministrin por për pushtetin legjislativ nga i cili buron dhe ekzekutivi. Në këtë kuptim, qeverisja dhe ministrat e saj nuk janë të ndara nga pushteti legjislativ, sepse kanë të bëjnë me konceptin e përfaqësimit politik si në parlament ashtu edhe në qeveri. Në këtë rast, ku ministrat nuk janë politik dhe aq me tepër kur nuk janë as deputetë kemi të bëjmë me një deformim të përfaqësimit politik.

Ndryshe ndodh në republikat presidenciale, ku presidenti i cili ka pushtetin ekzekutiv legjitimohet direkt nga vota popullore dhe nëpërmjet saj ka të drejtë të emërojë në kabinetin e tij njerëz të cilët nuk janë as politikë dhe as deputetë. Madje ka vende që postin e ministrit e kanë të papajtueshëm me postin e deputetit. Por ky nuk është rasti i Shqipërisë dhe republikave parlamentare në tërësi. 

Edi Rama në këto 10 vite na ka mësuar se me të tjerë e fiton pushtetin dhe me të tjerë e ushtron atë. Duke krijuar kështu një ndarje të fortë midis përfaqësimit politik dhe qeverisjes.

Shumë kush i etiketon këto lloj tipologjie ministrash si teknikë, apo teknokratë. Por e vërteta është se edhe të tillë nuk janë. Teknokratët janë një kategori tjetër. Janë njerëz të cilët kanë një autoritet në fushën e tyre përkatëse dhe qeveritë i marrin për njohuritë  thella që ata kanë. Në rastin e qeverisë Rama kemi të bëjmë me njerëz të cilët janë thjesht burokratë të pushtetit. Kjo është tipike në vendet ku pushteti është i përqendruar në një person. Burokratët janë njerëz pa ambicie politike, por thjesht përdoren nga pushteti në dikastere të ndryshme sa herë është e domosdoshme për konsolidimin dhe menaxhimin e tij.

Është vështirë të gjesh një ligj, një iniciativë apo një reformë që mban emrin e një ministri të caktuar. Sepse, e gjithë puna dhe iniciativat e qeverisë kanë ardhur në mënyrë të përqendruar, si pasojë e marrjes përsipër të të gjithë pushtetit ekzekutiv nga vetë Kryeministri.

Prandaj, duhet të marrë fund për këtë qeveri apo për këdo që vjen më pas, emërimi i ministrave të cilët nuk përfaqësojnë askënd politikisht. Sepse në fund të fundit, të drejtosh një portofol ministror është më së shumti një post politik. Duke qenë i tillë, duhet me patjetër që personat në krye të tyre të jenë me kontribute të caktuara.

Vetëm kontributet politike të personave të caktuar, dhe përkatësia e tyre me grupin parlamentar krijojnë një ekuilibër të qëndrueshëm midis legjislativit dhe ekzekutivit.

Në të kundërt, vazhdimi i të njëjtit model, me emra pa asnjë peshë politike, krijon kabinete qeveritare jo efikase, pa asnjë meritë apo përgjegjësi personale të ministrave dhe mbi të gjitha, pa mbështetjen e duhur politike. Dhe në këtë mënyrë, kthehen thjesht në instrumente në duart e një kryeministri duke zhvlerësuar totalisht rolin e tyre.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH