Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut është thjesht simbolikë

Shkruar nga Liberale
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Kryeministri shqiptar i Maqedonisë së


Ervis Iljazaj

Qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut e cila do të përgatisë zgjedhjet e ardhshme parlamentare do ta kryesojë një shqiptar, Talat Xhaferi. Ky është një lajm i mirë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe për shqiptarët në rajon, që tashmë numurojnë tre kryeministra, një në Shqipëri, një në Kosovë dhe një në Maqedoninë e Veriut.

Vetëm disa dekadada më parë kjo ishte një gjë e paimagjinushme. Falë mbështetjes së Perëndimit, por kryesisht të Shteteve të Bashkuara, sot shqiptarët janë realisht një faktor i rëndësishëm për gjeopolitikën e rajonit. Ndoshta më të rëndësishmit. Dhe të mendosh, që ka akoma nga ata që janë kritikë ndaj ShBA–ve dhe rolit të tyre këtu. Me flamurin e sovranizmit absurd, vazhdojnë ende të kritikojnë ndërhyrjet e ShBA në politikë tonë të brendshme. Ndërkohë që, vetëm falë tyre shqiptarët sot kanë arritur pozitën e tyre që u takon historikisht në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, ne e kemi zakon që disa evente i hiperbolizojmë dhe të tregojmë patriotizma dhe butaforizma edhe kur nuk është nevoja. Zgjedhja e Talat Xhaferit në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut përshembull është një nga këto raste. Në opinionin publik kjo ngjarje është triumfuar si fitorja e shqiptarizmit e triumfe të tjera si këto.
Realiteti është pak më ndryshe.

Zgjedhja e një shqiptari në krye të qeverisë është thjesht një simbolikë dhe një marrëveshje politike. Simbolikë, sepse e para kemi të bëjmë me një qeveri teknike, dhe e dyta, sepse ky emërim vjen si pasojë e marrëveshjes politike që kur partia e Ali Ahmetit bëri koalicion me qeverinë me kushtin që kryeministri i qeverisë teknike të ishte shqiptar.
Për ta thënë në mënyrë të drejtë për drejtë. Maqedoninë e Veriut nuk e qeverisin shqiptarët, ata janë thjesht pjesë të një koalicioni qeveritar. Sigurisht nga koha kur në Maqedoninë e Veriut nuk lejohej të ngrihej falumri shqiptar deri të një kryeminsitër shqiptar, qoftë edhe në mënyrë simbolike, ka një emancipim thelbësor.

Mirëpo, zgjedhja e Talat Xhaferrit, e cila do të shkojë në favor të partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme, nuk duhet të na bëjë të harrojmë realitetin dhe çështjet që vërtet shqetësojnë shqiptarët atje. Për shembull partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë ende të jenë të përçara. Nuk ka një bashkim i cili do ta bënte më të fortë komunitetin shqiptar dhe më ndikues në jetën politike maqedonase. Ky është një fenomen shqiptar, në fakt, në rajon. Edhe në Malin e Zi shpesh herë partitë shqiptare kanë qenë të përçara dhe kanë ulur peshën e faktorit shqiptar atje.

Prandaj, zgjedhja e Talat Xheferit nuk duhet të na mbushë me iluzione të cilat i bëjnë dëm botës shqiptare në Maqedonën e Veriut. Një nga problemet kryesore që hasin bashkëkombësit tanë atje është emigracioni në nivele të larta të shqiptarëve. Kushtet e tyre ekonomike janë dukshëm më të ulëta se ato të maqedonasve. Ekonomia dhe demografia janë elementë kushtëzues në një shtet multietnik. Dhe nëse vërtet duam të vazhdojmë të mbetemi faktor shtet formues në Maqedoninë e Veriut, këto janë sfida që duhen adresuar.

Nuk është çështja që me anë të marrëveshjeve politike të fitojë një parti e caktuar shqiptare, por sfida është që shqiptarët të vazhdojnë të mbeten faktor i rëndësishëm në Maqedoninë e Veriut.
Nuk duhet të sillemi si gjithmonë, dhe të kenaqemi me patriotizma të pavlerë dhe të harojmë vërtet problemet që shqiptarët kanë atje dhe të ardhmen e tyre. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH