
Ervis Iljazaj
Gjeopolitika dhe marrëdhëniet midis shteteve zakonisht nuk kanë parime, por vetëm interesa. Kushdo që kërkon parimet apo të drejtat në një marrëveshje ndërkombëtare nuk e ka kuptuar ende që ato bazohen në idenë se çfarë përfitojnë shtetet kur i nënshkruajnë ato. Kështu ka qenë historikisht, e kështu do të vazhdojë të jetë.
Prandaj pyetja që duhet të bëjmë gjithmonë sa herë që Shqipëria nënshkruan një të tillë është pikërisht se çfarë fiton ajo dhe shqiptarët nga këto marrëveshje. Pyetje të cilën shpesh herë harrojmë ta bëjmë sa herë që ka debate të tilla dhe diskuri bazohet në elementë të tjerë a thua se Shqipëria ka në dorë të rregullojë fatet e njerëzimit dhe parimet e tij.
Sigurisht nëse të dyja përkojnë, të drejtat dhe interesat tona, do të ishte shumë herë më mirë, por zakonisht kjo gjë nuk ndodh.
Për shembull, askush nuk e ngriti pyetjen se çfarë përfiton Shqipëria nga marrëveshja e imigrantëve me Italinë. Ndërsa për Italinë dhe Giorgia Melonin është e qartë se çfarë fiton, propagandën e saj kundër luftës së emigracionit, për Shqipërinë Kryeministri ynë u mjaftua duke thënë që ja kemi detyrim Italisë, a thua se ne këtu po presim italianë dhe jo afrikanë ndaj të cilëve nuk është se kemi ndonjë borxh moral. Megjithatë, debati këtu u fokusua i gjithi se a respektohen të drejtat e emigrantëve, a do ndikojë kjo për turizmin në qyteti e Lezhës, e madje dhe thjesht refuzuese ndaj emigrantëve për shkak se ne nuk jemi shoqëri e pamësuar ende me këtë fenomen. Pra e refuzuam apriori pa ngritur këtë pyetje të rëndësishme.
Do të ishte në rregull kjo marrëveshje nëse Kryeministri Shqipërisë do ti bënte të qartë shqiptarëve se çfarë përfitojmë nga kjo marrëveshje. Më shumë investime italiane, një proces më të shpejt drejt integrimit Europian apo përfitime të tjera të tipit ekonomik dhe gjeopolitik?!
Deri më tani kryeministri I Shqipërisë ka gjetur si përgjigje vetëm humanizmit dhe mirënjohje ndaj shtetit italian. Një gjë të cilën nuk e beson as vetë. Në këtë kuptim, kur është e vështirë të shpjegohet se çfarë përfiton Shqipëria, shpesh herë përfiton personalisht Edi Rama. Përfiton një mbështetje me ndikim aktualisht në Europë si Giorgia Meloni. Mbështetje ndërkombëtare mbi të cilën Rama e ka bazuar qëndrimin e tij në pushtet shpesh herë. Problemi është se nga marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruan Kryeministri Shqipërisë duhet të përfitojnë shqiptarët dhe jo pushteti personal i Edi Ramës.
Për marrëveshjen në fjalë përveçse kemi marrë kritika nga organizmat ndërkombëtare që merren me të drejtat e emigrantëve, ende nuk kemi arritur të dëgjojmë një përfitim që i vjen Shqipërisë nga ajo.
E njëjta histori ndodhi edhe me vizitën e Ministrit të Jashtëm turk. Dje pasi bëri vizitën e tij të parë në Xhaminë e Tiranës, kërkesa ishte e qartë për të larguar anëtarët e organizatës FETO nga Shqipëria, të cilët pushteti i Erdoganit i konsideron si organizator të puçit të shtetit në 2016.
Kjo është një marrëveshje me shtetin turk cili përpiqet të ndikojë në Shqipëri jo vetëm kulturalisht nëpërmjet hyrjes në punët e komunitetit mysliman shqiptar, por edhe kërkon të ndikojë në ligjet dhe Kushtetutën e Shqipërisë, për interesa të tij.
Lëshime të tilla që qeveria shqiptare po i bën Erdoganit nuk dihet nëse shkojnë në favor të Shqipërisë apo Edi Ramës personalisht, por fakt mbetet që marrëdhëniet personale të tyre janë mëse të ngushta.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare raportet personale luajnë një rol të rëndësishëm. Por problemi qëndron që ato deri më sot Edi Rama i ka përdorur për mbështetjen e tij personale. Akoma nuk e dimë se çfarë ka përfituar Shqipëria nga këto marrëdhënie. Deri më tani nuk ka ndonjë shenjë domethënëse.
Këto marrëveshje që nënshkruan Edi Rama me shtete të ndryshme , duke marrë emigrant, apo duke bërë lëshime drejt qeverisë turke nuk kanë sjellë asgjë për Shqipërinë, por thjesht për konjukturën politike dhe mbështetjen ndërkombëtare të Edi Ramës.