Coronavirusi tashmë ka goditur dhe selinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku mes stafit të vendosur në selinë e saj në Gjenevë janë regjistruar 65 raste të coronavirusit.
OBSH konfirmoi këto shifra të hënën në postën elektronike të marrë nga Associated Press, e cila ishte dhe hera e parë që një gjë e tillë u publikua zrytarisht.
Sipas Euronews, në email thuhej se rreth gjysma e infeksioneve të regjistruara deri më tani ishin te njerëzit që kishin punuar nga shtëpia, por 32 nga të infektuarit ishin nga stafi që kishin punuar në ambientet në ndërtesën e selisë, ku zakonisht punojnë më shumë se 2,000 njerëz.
Dr. Michael Ryan, shefi i agjencisë i emergjencës, të hënën në një konferencë shtypi në OBSH u shpreh se “Për njohuritë e mia, grupi që po hetohet është prova e parë e transmetimit të mundshëm në hapësirat e OBSH-së.”
Agjencia shprehet se ka vendosur higjienë të rreptë dhe masa të tjera parandaluese.
Në e-mail, i cili iu dërgua stafit të premten, Raul Thomas, i cili drejton operacionet e biznesit në OBSH, vuri në dukje se pesë persona – katër në të njëjtin ekip dhe një që kishte kontakte me ta – ishin testuar pozitivisht për COVID-19.
Kjo mund të jetë një tregues se kontrolli bazë i infeksionit dhe procedurat e distancës sociale mund të jenë thyer dhe për këtë pritet të zhvillohet një hetim./Gazeta Liberale