Aktualitet

Numri i ri i Economicus, në UET/ Trendet dhe sfidat e Industrisë së Sigurimeve  

Shkruar nga Liberale

Trendet dhe sfidat e Industrisë së Sigurimeve është tema kryesore e numrit 21 të revistës shkencore, “Economicus”, botim i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës. E reja e këtij numri ishin punimet më të mira të diplomave të studentëve të këtij fakulteti në bashkautorësi me udhëheqësit e tyre shkencorë.

Ky numër përkon edhe me përpjekjet e shtuara të bordit editorial për ta indeksuar revistën nga kategoria “C’, në kategorinë “B”, që do të rritë jo vetëm cilësinë e revistës dhe numrin e botimeve, por edhe do të garantonte në kuadër afatmesëm  rankimin e revistës në kategorinë e revistave të listuara në “Scopus”.

Scopus, një databazë abstraktesh dhe citimesh e themeluar më 2004-n, mbulon më shumë se 36 mijë tituj  nga më shumë se 11 mijë botues.  Ai mbulon rreth 240 disiplina.

Zv.rektorja për Kërkimin Shkencor në UET  theksoi rëndësinë e rritjes së cilësisë së publikimeve për të hyrë në Scopus. Po ashtu, puna e bordit editorial të revistës ‘Economicus’ u përgëzua nga presidenti i UET, Selami Xhepa, i cili i inkurajoi të jenë konsistentë në këtë përpjekje.

Punë për indeksimin e revistave në kategorinë “B” po bëhet me të gjitha revistat e botuara në të pesë fakultetet e UET, si “POLIS” e Fakultetit të Shkencave të Komunikimit, Edukimit dhe Arteve Liberale, “Jus&Justicia” e Fakultetit Juridik, “Medicus”  e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike dhe  revista “Ingenous” nga Fakulteti i Inxhinierisë dhe Arkitekturës. Indeksimi i një reviste shkencore konsiderohet si pasqyrim i cilësisë dhe revistat e indeksuara  konsiderohen me cilësi më të lartë shkencore, krahasuar me ato të paindeksuara.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në UET, Elvin Meka, njëherazi kryeredaktor i revistës “Economicus” bëri një prezantim rreth trendeve dhe sfidave të industrisë së Sigurimeve në Shqipëri.

Sipas tij,  sfidat e së ardhmes së afërt dhe më të largët mbeten thuajse të njëjta si problematikat dhe sfidat e sotme dhe ato duhen parë dhe konsideruar si mundësi reale për industrinë shqiptare të sigurimeve. Në mënyrë tipike, ata duhet të përpiqen të rrisin nivelin e informacionit dhe ndërgjegjësimit të individëve dhe bizneseve për rëndësinë e sigurimeve në përgjithësi, duke dhënë kështu një kontribut të çmuar drejt edukimit financiar të konsumatorëve. Gjithashtu, industria duhet të këmbëngulë dhe të kërkojë përgatitjen dhe zbatimin e një kuadri ligjor të detyrueshëm për sigurimin e fatkeqësive natyrore, sigurimin bazë të jetës për të gjithë punonjësit, si dhe një marketing të duhur dhe të zgjuar, së bashku me optimizimin dhe dixhitalizimin e kanaleve të shpërndarjes. Pra, sfida kryesore është shndërrimi i sfidave në mundësi të qëndrueshme.

Të tjera punime në këtë numër  janë “Vlerësimi i Mbajtjes dhe Kënaqshmërisë së Klientit në Vetë  Sigurimin Shqiptar’, nga Eleni Kalemaj; “Sfidat e zhvillimit të sigurimeve bujqësore në Shqipëri”, një punim në  bashkautorësinë e Grisejda Myslimi, Emirgena Nikolli dhe Joana Shima; “Tregu i sigurimeve në Shqipëri, shkalla e përqendrimit dhe pasojat në ekonomi’, nga Elisa Korsita dhe Elvin Meka; “Ndërmarrjet Sociale në Shqipëri - Raportimi dhe Ndikimi në Ekonomi” nga  Sokol Ndoka dhe Alma Uku. Ermira Qosja dhe Ketrina Çabiri Mijo sjellin punimin me temë ‘Një sintezë e situatës aktuale të bashkëpunimit Universitet-Industri, në Shqipëri duke ndjekur Modelin Triple Helix.   Elona Shehu dhe  Blerta Molishti janë përqendruar te skema e pensioneve përmes një analize të dhënash të përftuara nga 164 të anketuar si,  “Qëndrimi i planifikimit të daljes në pension në një këndvështrim të sjelljes financiare. Rasti i Shqipërisë’.

Artikuj të tjerë përfshijnë “Ndikimi i marrëveshjeve tregtare. Rasti i Shqipërisë” nga  Ledion Ferataj  dhe  Emirgena Nikolli; “Ndikimi i mikrofinancës në zhvillimin ekonomik dhe standardi të jetës së individëve gjatë viteve 2018-2021. Rasti i Shqipërisë” nga Sokol Ndoka dhe Arjol Sako; “Koncesioni i pullave fiskale – ndërmjet kostove të larta dhe mungesës së logjikës ekonomike’, nga  dekani Elvin Meka; “Nevoja për një strategji të madhe”  nga Blendi Lami, dhe  Kristaq Xharo si edhe “Artikulimi i interesit dhe lobimi në kontekste ligjore të parregulluara: Rasti i Shqipërisë’, nga Gerti Sqapi.

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH