Aktualitet

Nuk po kërkojnë garanci për votën e 2021, por diçka tjetër!

Shkruar nga Liberale
Nuk po kërkojnë garanci për votën e 2021, por diçka

Alfred Peza

Nëse do të duhet ndonjëherë të gjesh modelin sesi një lider, parti apo grupim politik i ikën zgjedhjeve dhe votës së qytetarëve të vet, ndërkohë që pretendon se po kërkon garancinë për standardin e tyre, atë mund ta gjesh tek Lulzim Basha, PD dhe “Opozita e Bashkuar” e këtyre 7 viteve të fundit në Shqipëri. Sikundër edhe tek Ilir Meta dhe LSI. Është një model tipik shqiptar, sipas të cilit tjetër gjë deklarohet publikisht, tjetër gjë kalkulohet brenda katër mureve dhe tjetër gjë rezulton se kanë dashur realisht në praktikë!

Kjo tregon se në fund të fundit, në thelb nuk e kanë hallin tek reforma elektorale. As tek debati për ta ruajtur apo jo aktualin, apo nëse duhet një sistem i ri zgjedhor. Nuk e kanë hallin as tek garancia që duan për votën sepse atë ua japin rekomandimet e OSBE/ ODIHR dhe impenjimi i SHBA e BE. Halli real është diku gjetkë.

Partinë Demokratike nuk e pengoi për të ardhur në pushtet në vitin 1992, as qeveria ish komuniste, as ligji i atëhershëm elektoral, as mungesa e stabilitetit dhe problemet e jashtëzakonshme të rendit e sigurisë në vend, as mungesa e garancive për votën e lire në një vend që dilte pas gjysëm shekulli diktaturë. Por, e solli në pushtet fryma e madhe e ndryshimit demokratik dhe vota masive e shqiptarëve.

E njëjta gjë edhe në vitin 2005. Sali Berisha hyri në historinë e re politike, si i pari udhëheqës i larguar nga pushteti me plumbat e qytetarëve më 1997, për tu rikthyer në mënyrë demokratike me votë. Atëherë kur u krijua fryma e ndryshimit dhe kur PS u përça, pas krijimit të LSI të Ilir Metës më 2004.

Edhe tani që është në opozitë, PD dhe LSI mund të rikthehen në pushtet vetëm nëse ngjizin dhe përhapin frymën e madhe të ndryshimit, përmes një progami alternativ qeverisës dhe një ekipi cilësor fitues, që krijon klimën e besimit tek shqiptarët. Asgjë nuk e pengoi PS të rivinte në pushtet më 1997 e 2013, edhe përkundër mënyrës sesi Berisha e drejtonin shtetin në raport me standardet e zgjedhjeve demokratike dhe garancive për votën e lirë.

Ndaj, e vërteta e zgjedhjeve të 2021 është e thjeshtë. PS ndyshe nga ajo e 16 viteve më parë, nuk është e përçarë. Historia e ka treguar se, (me përjashtim të 1992, për arësye historike) PS është partia më e madhe dhe më e organizuar politike në Shqipëri dhe asnjë parti tjetër nuk e ka mundur dot. Përveç rastit të 2005, kur socialistët mundën vetëveten.

Këtë e di shumë mirë edhe PD, edhe LSI. Edhe Basha, edhe Berisha, edhe Meta, edhe Kryemadhi. Ndaj, lidershipi i opozitës së sotme nuk e ka hallin te reforma elektorale. Sepse jo me sistemin danez, por edhe me standardin e tyre të zhvillohen zgjedhjet, e dinë se nuk mund ti fitojnë dot sepse nuk i kanë votat.

Edhe para zgjedhjeve të 2017 Lulzim Basha deklaroi se kërkonte “Republikën e Re”. Brenda në takimin me Edi Ramën në natën mes 17-18 majit, kërkoi tjetër gjë. E në fund, megjithëse mori shumë herë më tepër garanci se kërkoi, përsëri i humbi zgjedhjet. Sepse nuk i kishte votat e shqiptarëve.

Duke e ditur këtë të vërtetë të thjeshtë, në emër të gjoja integrimit europian, stabilitetit demokratik dhe votës së lirë, në zgjedhjet e 30 qershorit 2019 kaluan në skenarin më “in extremis”. Me shpresën se do provokonin deri edhe kolapsin total të sistemit, për ta detyruar PS dhe mazhorancën e saj, ti ofronte një pazar politik në tavolinë. Siç Sali Berisha e mori në marrëveshjen e 2002 me Fatos Nanon, e cila shënoi edhe fillimin e fundit, të qeverisjes së PS.

Historia po përsëritet edhe këto ditë. Megjithëse i kanë konsumuar të gjitha rrugët dhe u mbetet të gjejnë vetëm konsensusin, vijojnë që të përdorin njëmijë e një marifete, për tiu larguar sërisht marrëveshjes për reformën e re zgjedhore. Edhe nëse ia dalin, edhe nëse dështojnë në tavolinë, shqiptarët do të shkojnë për të votuar në prill- maj të 2021.

Liderët e opozitës e morën një vit më parë këtë mësim. Po pse po vazhdojnë sërisht në të njëjtën linjë edhe tani? Është shumë e thjeshtë: Duke e ditur se nuk mund ti fitojnë dot zgjedhjet, po kërkojnë të fitojnë që tani, një alibi për humbjen e tyre.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH