Kryesore

Në gjurmë të poezisë më të mirë femërore

               Publikuar në : 10:23 - 24/05/21 liberale

Rudolf Marku

Alma Jaku ka qenë, derisa para disa ditësh, një poete pothuajse e panjohur për mua. Dija se banon në Lezhë dhe është një poete e rrethit të talentuar të krijuesve të atij qyteti. Kisha lexuar dy-tre poezi të saj në Fb dhe vetëm kaq, sa për të më krijuar përshtypjen e një vajze të talentuar, rebele, që synon të shkruajë një poezi lirike thellësisht femërore, të sinqertë dhe me një naivitet tashmë të humbur, që i shkon poezisë, dhe, ndonjëherë, gjykuar nga mendësitë seksiste që janë në modën e trushpëlarëve modern të political correctness, një poezi skandaloze… Këtë përshtypje ma përforcuan poezitë e këtij libri, që më ra në duar disa ditë më parë.

Më vonë, mosnjohja ime u plotësua me leximin e librit të parë të poetes. Nuk e kisha ditur se ky libër me të cilën paraqitet para lexuesve Alma Jaku, në fakt qenka libri i dytë poetik i saj. Dhe se libri i parë i Almës ka pasur fatin që të botohet me një parathënie dinjitoze shkruar nga poeti dhe prozatori i mirënjohur i letërsisë tonë, dhe nga miku im, Preç Zogaj.

Parathënia e Preç Zogajt në fakt nuk më lë të them shumë. Edhe pse, libri i ri me të cilin paraqitet përpara lexuesve Alma Jaku është një libër shumë më i evoluar artistikisht dhe mjeshtërisht nga libri i saj i parë. Duket se Alma Jaku përkushtimin ndaj poezisë e ka një betim serioz letrar të personalitetit të vet. Këtë përkushtim e ndjen menjëherë tek lexon poezitë e këtij libri. Shumë nga poezitë i kushtohen vetë Poezisë, e cila për Alma Jakun është po aq e rëndësishme sa dhe vetë akti hyjnor i dashurisë. Poezia dhe dashuria kthehen në këtë libër në një binom natyral, në një simbiozë natyrale, aq sa vetë poetja pyet me një naivitet të sinqertë femëror: Është Poezia ajo që më solli Dashurinë/ Apo vetë Dashuria më sjell Poezi?

Poezia e Alma Jakut më bëri për vete me thjeshtësinë e vargut, me freskinë dhe natyrshmërinë, si dhe me drejtpërdrejtshmërinë e saj, me guximin e poetes për të thënë atë që ndjen, ndonjëherë përmes një humori të lehtë triumfues, pa u fshehur në guacka metaforike, a në ca pseudo eksperimente gjuhësore spekulative dhe pretencioze… Poezia e Alma Jakut më kujtoi dy poetë anglezë të shekullit të XX- W.H. Davies dhe Anna Wickham, të cilët mendonin se një pellg uji në mesin e rrugës, me pesë centimetra thellësi, që nuk mund t’ia shohësh fundin, ngase uji është i turbullt, nuk mund të jetë më i thellë se Liqeni i Ohrit, të cilit mund t’ia shohësh fundin dhe në njëzet metra thellësi. Poezia e Alma Jakut ecën natyrshëm në gjurmët e traditës më të mirë të poezisë femërore. Dhe vetë gjurmët e të gjitha poezive të mira femërore të kësaj bote, të çojnë në shtigjet e primordialitetit të Poezisë së Safos, kryepoetes së botës.

ALMA JAKU PËR POEZINË E VET

Mendoj se ka dy kategori poetësh: Poetë që e pranojnë lehtësisht se janë të tillë, dhe të tjerët që shkruajnë me një pasiguri të lindur, me ndrojtjen dhe dyshimin nëse janë a jo poetë.

I përkas grupit të dytë.

Pikërisht në këtë çast e ndiej veten si Princesha e Humbur Raperanzolë. Për shumë vite, në kështjellën time të poezisë, me vargje që më përzihen nëpër kokë, më është dashur të inkurajoj veten, duke pëshpëritur pa zë se jam poete, e pastaj, pas pak, duke pohuar të kundërtën, jam përpjekur t’i dëboj vargjet si një postë e ardhur në një adresë të gabuar (return to the sender), t’i gris, t’i fsheh, me një ndjenjë fajësie, e bindur se nuk i përkas botës së bukur e të përralltë të Poezisë.

Mendoj se poetit i duhet kjo pasiguri e fillimit.

Pasiguria shpesh herë është shtegu që e orienton poetin drejt krijimtarisë së vërtetë. Vite më vonë, kam lexuar një thënie të poetit irlandez W.B. Yeats, përkthyer nga Rudolf Marku: kur grindemi me të tjerët, bëjmë politikë; kur grindemi me veten, shkruajmë poezi.

Do përpiqem të grindem me veten time sa më shumë!

 

Poezi nga libri i Alma Jakut “Globi mbi gishtërinj”

 

POEZIA

 

Poezi- Ti ma solle dashurinë

A vetë Dashuria më solli tek ti?

Ja një dilemë hamletjane pa drama, fantazma

Që përgjigjen askush nuk ma dha der’ tani.

 

Dikush më tha se kritikët e Artit,

Veç ata sekretin e dilemës e dinë!

Të gjorët kritikë, postmodernë, modernë

Që s’patën kohë ta njohin dashurinë!

 

TË SHUAJ ETJEN

 

Në burim mbusha dy shishe me ujë të freskët,

Dy shishe plot me ujë me kujtimin e seksit tënd,

E sigurt se do më mjaftonin të më shuanin etjen

E sigurt se etjen e kisha mposhtur megjithëmend!

 

Por tani që jam larg burimit jetëdhënës,

Kujtimi yt ma shton etjen më shumë,

Dy shishet e mbushura për të shuar etjen e seksit,

Nuk mjaftojnë as të zbus buzët e thara gjithë shkrum.

 

Nuk e dija se etja shtohet përherë e më tepër,

Sa më afër t’i rrish burimit,

në stinën e ngrohtë të Verës!

 

TË KISHA HARRUAR

Po si të mos vish?

Si petal kumbulle,

I hijshëm,

Si qershi në degë,

I bardhë!

 

Dhe tani pyes veten,

 

Pranverës

Si mund t’i bëj ballë…?

 

ART…

 

Libër e mendoj unë veten,

Ku ti më prek me gishta lehtë,

Një libër që kurrë nuk tretet,

Dhe ti shenjon përmbi çdo fletë.

 

Përherë e mendoj veten telajo

Ku ti më ngjyen me gishtërinj,

Të duhen shumë, shumë ylberë,

Për çdo lule që në shpirt më ndrin!

 

Po nëse bëhem pentagram,

Me ç’çelës Sol do t’më hapësh ti?

Mbyll veshët, Uliks, sirenë unë jam,

Nuk pëshpëris, jam simfoni!

 

PREJ DIELLI

 

Si mundem të harroj ty?

 

Kudo të jem

Më duhet veç një strehëz

Që t’mos më biesh

Kaq shumë i Dielltë

 

Përmbi sy…

 

RRËFIM

 

U rrëfeva unë, At,

Po nuk ndjehem penduar!

Mëkatin të shenjtë e kam,

Vetë Hyu më tha: Të duash!

 

Perëndi! Desha si e çmendur,

Pa pritur asgjë nga ai,

Shtizë e Pilatit më dhembi,

Stigma më preu në gji.

 

Veç Krishti përtej në kryq,

M’i kuptoftë mua dhembjet!

Kupidi i marrë le të gjykohet në Had,

Me kusht që veç emri mos t’i tretet!

 

KOHË REFORMASH

 

Në xhungël tani dua të jem,

Me majmunët në ekuator,

Me gjethe palme të bëja fresk,

Duke hartuar kodin zgjedhor!

 

Të rri atje bukur nën diell,

Duke punuar nën hije për Atdhenë,

Ta bëj fytyrën me zift si terr,

Nga vetja turp, që t’mos më bjerë!

 

Një elefant për të bërë tellallin,

Majmunët për popull të kem!

Ta zgjedhim për mbret gomarin,

Luanin ta emërojmë kryeparukier!

 

EVË

 

Lindi mëngjesi këtu tek unë,

Atje tek ti e kaltërt bie mbrëmja,

Si dielli e hëna dashuria jonë qarkon,

Dhe vetë rruzullin e mbushim me brenga.

 

Nëse bota do të ishte e pafundme,

Të mos ishin detet, këta male ëndrre,

Ti do ishe Maratonomaku im,

Lajme dashurie të sillje çdo mbrëmje!

 

Si një charter, një tren ekspres,

Globit i sillem rrotull, dhe mendjes,

Kur avionët, raketa shpallen si sukses,

Më mjafton të dua, si në kohën e Evës!

 

KURTH UDHËTARËSH ËSHTË QYTETI

 

Kurth udhëtarësh është qyteti.

Në portat e tij të hekurta qëndrojnë ushtarët,

Më pyesin përse duhet të hyj në qytet,

U them të më dëgjojnë rrahjet e zemrës,

U them se dashuria ime më pret.

 

Nuk besojnë. U them se dashuria është mbretëria ime,

Nxjerrin shpatat më tregojnë heshta, shtiza gjithfarë,

Vonë e kuptova se vetë ushtarët qenkan të plagosur,

E kuptoj se plagët e dashurisë ende nuk u janë tharë.

 

Vërtitem rreth mureve të qytetit,

Më pyesin nëse jam skllave a sundimtare e mbretërisë,

U them se tani as vetë nuk e di,

Di vetëm se kurth udhëtarësh është Qyteti i Dashurisë!

 

LARG

 

Pa më pyetur, ti erdhe gjatë natës

I ndjeva buzët e tua në qafë,

Një zjarr më përfshiu gjithë trupin.

Mijëra kilometra si nuk e shuan këtë flakë?

 

U përpoqa të të shkas duarve,

Mes shtratit, mes murit, mes teje

Si gazela e brishtë që pret tigri në qafë,

…dhe unë, sa fort që e dua këtë dhembje!…/Gazeta Liberale

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back