Një nga ëndrrat më të mëdha të tifozëve të Newell’s Old Boys mund të bëhet realitet: Lionel Messi mund të rikthehet aty ku nisi gjithçka. Presidenti i klubit argjentinas, Ignacio Astore, ka zbuluar se presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Chiqui Tapia, është personalisht i angazhuar për të bërë të mundur këtë transferim të bujshëm.
Kontrata e Messit me Inter Miami përfundon në dhjetor 2025 dhe ende nuk ka sinjale zyrtare për rinovim. Kjo ka shtuar spekulimet se ylli argjentinas mund të zgjedhë të mbyllë karrierën në vendlindje, pikërisht aty ku e nisi si fëmijë futbollin, në moshat e reja të Newell’s.
Tifozët e skuadrës nga Rosario janë të entuziazmuar dhe shpresojnë që 37-vjeçari të veshë për herë të parë fanellën e ekipit të parë të Newell’s, duke e kthyer në realitet një ëndërr që ka vite që jeton mes tyre.
Nëse ky rikthim ndodh, do të ishte jo vetëm një ngjarje sportive, por edhe emocionale për gjithë Argjentinën – një përmbyllje simbolike dhe e bukur për një nga karrierat më të mëdha në historinë e futbollit.