Vetëm pak orë para nisjes së sfidës mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “USA–Kanada–Meksikë 2026”, kanë nisur hyrjet e para të tifozëve në ambientet e “Arenës Kombëtare”.
Në pamjet e siguruara nga gazetari i Top Channel, Endi Tufa, dallohet momenti kur tifozët ndalohen nga forcat e rendit për kontrolle të imtësishme dhe verifikim të biletave, përpara se të hyjnë në stadium. Atmosfera është e gjallë, por organizimi duket mjaft rigoroz.
Krahasuar me ndeshjet e kaluara, përimetri i kontrollit është zgjeruar ndjeshëm, me pika shtesë të kontrollit të sigurisë dhe prani të shtuar të efektivëve të policisë dhe forcave speciale. Masa që vijnë si pjesë e planit të sigurisë për një nga ndeshjet më të ndjeshme të viteve të fundit në futbollin shqiptar.
Tifozët që po hyjnë në stadium shfaqin entuziazëm dhe qetësi, duke shpresuar në një mbrëmje historike për kuqezinjtë. Ndërkohë, forcat e rendit mbeten në gatishmëri të lartë për të garantuar zhvillimin normal të ndeshjes dhe shmangien e çdo incidenti të mundshëm.