Ikona e muzikës pop, Taylor Swift, ka marrë një urdhër mbrojtjeje të përkohshëm ndaj një 45-vjeçari nga Kolorado, i identifikuar si Brian Jason Wagner, i cili e ka përndjekur prej gati një viti.
Ngjarja ka tronditur fansat dhe opinionin publik, për shkak të natyrës shqetësuese të sjelljes së përndjekësit. Sipas dokumenteve gjyqësore të dorëzuara në Los Angeles, Wagner ka ndjekur këngëtaren që prej korrikut 2024, duke u shfaqur disa herë pranë shtëpisë së saj në Kaliforni, duke bërë pretendime të rreme për një marrëdhënie mes tyre dhe duke tentuar të ndërhyjë në privatësinë e saj.
Në një nga incidentet më të rënda, Wagner është parë me një shishe qelqi në dorë pranë shtëpisë së Swift dhe madje ka ndryshuar adresën në patentën e tij për të përfshirë adresën e këngëtares. Ai gjithashtu ka tentuar të marrë kontrollin e postës personale të saj dhe ka dërguar qindra email-e drejt stafit të saj.
Një nga pohimet më absurde të tij ishte deklarata se Taylor është “nëna e djalit të tij”, një pretendim që këngëtarja e përshkroi si “të pavërtetë, shqetësues dhe të rrezikshëm”.
Gjykata vendosi që Wagner të qëndrojë të paktën 100 metra larg këngëtares, vendbanimit, vendit të punës, makinës dhe stafit të saj personal. Ky urdhër do të jetë në fuqi deri më 30 qershor 2025, kur do të shqyrtohet mundësia e një urdhri të përhershëm.
Në deklaratën e saj, Swift tha:
“Ky njeri përbën një kërcënim real për sigurinë time dhe të familjes sime.”
Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të menjëhershme. Fansat kanë nisur fushata online me hashtagjet #ProtectTaylordhe #StaySafeTaylor, duke kërkuar masa më të forta ligjore për mbrojtjen e personazheve publikë.
Stafi i këngëtares konfirmoi se është në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet për të garantuar sigurinë e saj.
“Taylor është e fortë, por askush nuk duhet të ndihet i rrezikuar në shtëpinë e vet,” – u shpreh një përfaqësues i saj.