Fero ka ndarë një reagim të fuqishëm përmes rrjeteve sociale, duke hapur zemrën për shqetësimet e tij lidhur me mungesën e mundësisë për të pasur kontakt me vajzën e tij, Ninën. Ai ka folur gjithashtu për rikthimin e tij në muzikë, duke theksuar ndjeshmërinë që ka për çështjet personale dhe profesionale. Në një seri postimesh, Fero shprehu dhimbjen dhe frustrimin e tij për faktin që është i privuar nga të drejtat prindërore.
Ai tha se ndihet i pafuqishëm për shkak të pamundësisë për të parë vajzën e tij dhe e kritikoi ashpër sistemin e drejtësisë në Kosovë. Sipas tij, drejtësia funksionon vetëm për ata që kanë para, duke theksuar dështimin e gjykatës për të marrë masa ndaj shkeljeve të vendimeve të saj.
“Ju e dini që tash e një kohë jam përballur dhe po përballem ende me një padrejtësi të rëndë: mungesën e të drejtës për të parë vajzën time, Ninën. Kam bërë shumë përpjekje dhe vetëm prindërit që kanë kaluar në këtë fazë e kuptojnë dhimbjen dhe sa i pafuqishëm ndjehesh kur nuk mundësohet asnjë formë kontakti me fëmijën tënd,” shkroi Fero.
Për më tepër, ai e ka akuzuar motrën e presidentes së Kosovës, e cila është avokate e palës tjetër, për ndikim në këtë çështje, duke e cilësuar këtë si një faktor që ka rënduar situatën e tij.
“Dhe mbi të gjitha, unë asnjëherë nuk do të lejoj që vajza ime të rritet pa praninë time. Kam angazhuar avokaten Bedrije Rexhepi dhe besoj se ajo do të më ndihmojë të rikthej të drejtat e mia,” shtoi ai.
Ndërkohë, Fero ka sqaruar gjithashtu se është i vetëdijshëm për debatet që kanë shpërthyer lidhur me rikthimin e tij në muzikë. Ai u shpreh se nuk ndikon nga opinionet e tjetrit dhe se vendimet e tij janë të bazuara në besimin dhe bindjet e tij personale.
“E di që jeni duke pyetur shumë për rikthimin tim në muzikë. Është shumë e lehtë të drejtohet gishti nga dikush dhe të bëhet tabelëqitje, por unë e kuptoj shumë mirë se çfarë është e ndaluar dhe e lejuar në besimin tim,” tha reperi.
Në fund, Fero shprehu besimin se e vërteta do të dalë në pah dhe se një ditë vajza e tij do të kuptojë gjithçka. Ai falënderoi besimtarët që e kanë mbështetur gjatë këtyre momenteve të vështira dhe e mbylli postimin me një mesazh frymëzues.
“Sido që të shkojë puna me padrejtësinë time, një ditë muzika dhe gjithçka që do të bëj do të shkojnë në veshin e Ninës, dhe atëherë vajza ime do të kuptojë kush kishte faj dhe kush kishte të drejtë,” përfundoi Fero.