Skandali që shpërtheu pas një videoje virale në koncertin e Coldplay vazhdon të bëjë jehonë në rrjetet sociale dhe median ndërkombëtare. Në fokus fillimisht ishin dy protagonistët e një lidhjeje jashtëmartesore — Andy Byron dhe Kristin Cabot — por tanimë vëmendja është zhvendosur edhe tek një figurë tjetër që ndodhej pranë tyre në momentin e kapur nga “kamera e puthjes”: Alyssa Stoddard.
Në videon që është bërë virale, shfaqet përqafimi i ngrohtë dhe intim mes Byron dhe Cabot, teksa Alyssa ndodhet pranë tyre, me një buzëqeshje të ngrirë dhe të sikletshme, që tregon qartë përpjekjen për të ruajtur qetësinë në një situatë të ngarkuar emocionalisht.
Por Alyssa nuk ishte një kalimtare e rastësishme. Ajo është drejtoreshë e burimeve njerëzore në kompaninë “Astronomer” dhe, që prej fillimit të korrikut, është emëruar zëvendëspresidente e HR — pikërisht nën mbikëqyrjen e Kristin Cabot, protagonistes së aferës.
Ky detaj ka ndezur polemika të reja në internet, ku përdoruesit nuk kanë ngurruar të akuzojnë Alyssën për heshtje të qëllimshme dhe bashkëpunim të mundshëm në fshehjen e lidhjes. “E promovuar nga vetë Kristin, ndërkohë që ishte aty kur ndodhte gjithçka. Ironike, apo e planifikuar?” – shkruan një komentues. Të tjerë theksojnë se e vetmja që s’e kishte idenë për gjithçka ishte bashkëshortja e Andy Byron, e cila pas publikimit të videos hoqi mbiemrin e tij nga rrjetet sociale.
Ndërsa interneti vazhdon të analizojë çdo mimikë dhe lëvizje të kapur në video, dilemat mbeten: A ishte kjo një skenë spontane e zbuluar rastësisht apo një dramë e njohur prej kohësh nga ata që qëndronin pranë? Dhe ku përfundon kufiri mes jetës personale dhe asaj profesionale kur gjithçka ndodh përpara syve të botës?