Kim Kardashian do të paraqitet në gjykatë në Paris si dëshmitare në një çështje grabitjeje që daton në vitin 2016, kur ajo u mbajt nën kërcënimin e armës dhe iu vodhën bizhuteri me vlerë miliona dollarë.
Ylli i reality show dhe biznesmenia 44-vjeçare pritet të dëshmojë pasditen e sotme, ku do të tregojë versionin e saj për grabitjen – një ngjarje ku ajo u lidh dhe u mbajt nën kërcënimin e armës në një suitë luksoze ku qëndronte gjatë Javës së Modës në Paris.
Bizhuteri me vlerë miliona dollarë iu vodhën, përfshirë unazën e fejesës prej 4 milionë dollarësh (2.9 milionë £) që i ishte dhënë nga bashkëshorti i atëhershëm, Kanye West.
Dhjetë persona janë në gjyq që nisi muajin e kaluar. Të hënën, dëshmitari Abderrahmane Ouatiki, recepsionisti i natës, i cili tha se u detyrua të çonte grabitësit në suitën e Kardashian dhe të përkthente kërkesat e tyre, tregoi se ylli amerikan ishte "krejtësisht histerike" dhe në "gjendje frike të thellë", ndërsa një burrë "shumë i nervozuar" ia drejtoi armën.
"Ishte shumë agresiv dhe ajo ishte e tmerruar," tha Ouatiki.
Ai shtoi se edhe vetë kishte frikë për jetën e tij, pasi grabitësi ishte nervoz dhe dukshëm i irrituar nga britmat e Kardashian.
Tre persona qëndruan në recepsionin e hotelit ekskluziv Hotel de Pourtalès në qendër të Parisit, ndërsa dy burra të tjerë detyruan Ouatiki t’i çonte në suitë, ku i kërkuan Kardashian-it t’u dorëzonte unazën dhe i morën bizhuteri të tjera me vlerë totale prej 9 milionë dollarësh.
Burrat u arrestuan tre muaj më vonë, së bashku me disa të dyshuar të tjerë si bashkëpunëtorë. Fillimisht, 12 persona pritej të dilnin në gjyq, por një prej tyre vdiq në mars dhe një tjetër u përjashtua për arsye shëndetësore. Nga 10 të mbeturit, tetë prej tyre mohojnë përfshirjen në grabitje. Bizhuteritë nuk janë gjetur kurrë, por policia beson se janë copëtuar dhe shitur.
Media franceze i ka quajtur të pandehurit "grabitësit gjyshër", pasi disa prej tyre janë në të 70-at. Shumë kanë probleme të rënda shëndetësore – njëri po i nënshtrohet kimioterapisë, ndërsa një tjetër ka dridhje të dukshme.
Udhëheqësi i dyshuar i grupit, Aomar Ait Khedache, 68 vjeç, u mor në pyetje javën e kaluar, por si person i shurdhër dhe memec, ai dha përgjigjet me shkrim në letër, të cilat u projektuan në ekran.
Që nga hapja e gjyqit më 28 prill, prokurorët janë përpjekur të shkatërrojnë imazhin e "grabitësve të pafajshëm e të moshuar" – të cilët thuhet se nuk e dinin se viktima e tyre ishte një yll botëror.
"Ndoshta bënë gabime, por gjithsesi ishin një ekip i aftë," tha hetuesi kryesor i njësisë speciale Brigade de Répression du Banditisme javën e kaluar.
Ai përmendi se grabitësit i lidhën këmbët dhe kyçet Kardashian-it me rripa plastikë dhe i vendosën shirit ngjitës në gojë. Ata kishin marrë një makinë që e parkuan pranë vendngjarjes dhe përdorën telefona të përkohshëm (burner phones).
"E bënë mirë," tha ai. "Ia dolën sepse arritën ta shisnin unazën prej 4 milionë dollarësh në Antwerpen – dhe kjo nuk është aspak e lehtë."
Në dëshminë e tij, Ouatiki përshkroi një prej grabitësve si "të armatosur, të stresuar dhe që bërtiste… dikush që të jep ndjesinë se është shumë i rrezikshëm."
Ai tha se përpiqej të qetësonte situatën duke vepruar si përkthyes mes grabitësit dhe Kardashian: "Bëra më të mirën për të qetësuar gjendjen sepse nuk e dija se për çfarë ishte i aftë."
Kur grabitësit e lidhën dhe e morën Kardashian-in në banjo, ajo ishte vetëm me një rrobdeshambër dhe kordoni iu zgjidh, dëgjoi gjykata. I pyetur nga avokatja e Kardashian-it, Léonore Hennerick, për ta përshkruar momentin, Ouatiki nuk pranoi të jepte detaje: "Duhet të respektojmë viktimën," tha ai.
Në një intervistë emocionale në vitin 2020 me gazetarin David Letterman, Kardashian kishte treguar se kishte frikë se do të përdhunohej.
"Mendova, 'Kjo është, do të më përdhunojnë'," tha ajo.
Ajo shtoi se kishte frikë për jetën e saj dhe u shqetësua për motrën Kourtney, e cila ishte në një klub nate:
"Unë do të vdes në dhomë dhe ajo do të traumatizohet për gjithë jetën."
Në vend të kësaj, grabitësit i morën unazën, bizhuteri të tjera, telefonin dhe 1,000 euro në para dhe u arratisën. Kardashian arriti të çlirohej vetë dhe truproja e saj mbërriti pak më vonë. Ajo dha dëshminë për policinë në orët e para të 3 tetorit dhe fluturoi menjëherë për në SHBA.
Sa i përket vetes, Ouatiki – një shtetas algjerian dhe student i doktoraturës në semiotikë në atë kohë – tha se kishte vuajtur shumë nga spekulimet në media se mund të ishte i përfshirë në grabitje.
"Dyshimi ishte shumë i rëndë për ta mbajtur," u tha ai gjykatës.
Ouatiki i tha medias franceze se e humbi statusin e studentit pak pas grabitjes dhe u detyrua të kthehej në Algjeri, ku u diagnostikua me çrregullim post-traumatik (PTSD).
"Ishte katastrofë, jeta ime u shkatërrua," i tha ai revistës Le Point.
Të martën në mëngjes, në gjykatë do të dëshmojë edhe Simone Bretter, mikja dhe stilistja e Kardashian-it, e cila ishte në të njëjtën suitë gjatë grabitjes, por në një kat tjetër dhe u fsheh sapo kuptoi se kishin hyrë grabitësit.
Rreth 500 gazetarë janë të akredituar, dhe dëshmia e Kardashian-it pritet të tërheqë vëmendje të madhe mediatike.
"Dëshmia e saj do ta ndihmojë që ta marrë kontrollin mbi këtë situatë dhe të risjellë ngjarjen sipas versionit të saj," tha Jeetendr Sehdev, ekspert për famën dhe autor i librit The Kim Kardashian Principle.
"Në 2016 ajo ishte objekt talljeje. Por në 2025, duke dëshmuar, ajo do të bëhet tregimtarja," i tha ai BBC-së.