Aktorja e njohur, Milena Brandao, 11 vjeç ka ndërruar jetë të premten në një spital të São Paulos pas një sërë episodesh të rënda të arrestit kardiak, njoftoi nëna e saj, Thais Brandao.
Brenda dy ditëve të fundit të jetës së saj, Milena pësoi gjithsej 12 arreste kardiake, sipas mjekëve që e trajtonin. Nëna e saj deklaroi për rrjetin informativ brazilian G1 se ende nuk ka marrë një shpjegim të saktë për shkaqet e vdekjes së vajzës.
Lajmi i ndarjes nga jeta të Milenës ka tronditur komunitetin artistik në Brazil, ku ajo njihej për talentin dhe pozitivitetin që sillte.
Në një postim prekës në rrjetet sociale, nëna e saj shkroi:
“Na la në orën 02:05. Jam e bindur se ajo tani ndodhet në krahët e Zotit dhe në një vend të bukur për të luajtur. Kujtimet tona të përbashkëta do të jetojnë përjetë në zemrën time. Gëzimi yt solli dritë për të gjithë ata që të rrethonin. Do të më mungosh gjithnjë më shumë, por e di që do të na ndriçosh nga lart. Të dua përgjithmonë.”