Letërsi

DORËSHKRIM - “Bohemë anglosaksonë në Paris”, botim i UETPRESS/ Nën dritaren e Oscar Wilde

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM - “Bohemë anglosaksonë në Paris”,

“Të jetosh është gjëja më e rrallë në botë, ndërkohë që pjesa më e madhe e njerëzve kënaqen që ekzistojnë ...“ Wilde

Po të kalosh në Rue des Beaux Arts (Rruga e Arteve të Bukura, e quajtur kështu meqë pak hapa më tutje është Akademia e Arteve të Bukura të Parisit), dhe të ngresh kokën nga L’Hotel në numrin 13, do të shohësh dritaret e atij hoteli ku që prej një shekulli, dhoma nr. 16 është bërë e famshme. Pikërisht në këtë lagje të Saint-Germain-desPrès kishte vdekur gjeniu i letrave Oscar Wilde, një njeri në mërgim i mbytur në borxhe dhe i drobitur në shpirt, në një hotel ku ai ishte detyruar të regjistrohej me një emër të rremë: Sebastian Melmoth … Burri që zbarkonte këtu më 1897-n, ishte një njeri i flakur nga vendi i tij aq sa edhe gruaja e tij Constance, bashkë me dy djemtë e saj të vegjël e kishin braktisur dhe ajo ishte detyruar të ndryshonte mbiemrin për të mos u quajtur më zonja Wilde.

Shumë herë kam ardhur në këtë hotel me miq të mi regjisorë, piktorë, shkrimtarë, me njerëz të tjerë të dashur, për t’u treguar vendin ku kishte vdekur ky njeri i “handakosur” dhe i braktisur nga familja e miqtë e tij. Sapo kishte dalë nga burgu, në një atmosferë mbytëse pas procesit që i bëri lord Queensberry, ati i të dashurit të tij Alfred Douglas, ai kishte nxituar t’i jepte fund jetës së tij prej martiri; duhej të ikte nga Anglia puritane dhe të vinte në Francë, si i vetmi vend që mund ta pranonte pa e dënuar për homoseksualitetin e tij. Sapo zbriti në brigjet e La Manche, nxitoi të shkonte si një personazh anonim në një fshat pranë Dieppe, në qytezën e humbur Berneval-sur-Mer. Shkrimtari André Gide i cili e kishte marrë vesh ardhjen e tij, ishte nisur menjëherë ta takonte dhe u habit që prej disa javësh ai jetonte në atë qytezë të humbur.

Takimi i tyre ishte i përmallshëm si miq të vjetër që ishin njohur më parë në Paris, kur ai jetonte në Hotel Voltaire buzë Seine-s. Ajo ditë Wilde-in e gëzoi shumë dhe ai filloi t’i tregonte për kujtimet e tij të freskëta në qelitë e Reading. I tha se atje lexonte Danten në italisht, gjithë veprën e tij. “Por as Purgatori dhe as Parajsa nuk ishin shkruar për mua. Lexova në veçanti Ferrin. Si të mos e doja atë libër? Ne ishim në një ferr të vërtetë. Ferr ishte burgu…” Kohë më pas, Wilde-in shkoi ta takojë dhe regjisori i teatrit parisian Lugné Poe, që kishte vënë në skenë dramën e tij Salomé. Lidhur me këtë takim, në një intervistë, ai kishte thënë: “Ajo që dua të them është se i jam mirënjohës Francës që më njohu si artist pikërisht në momentin e poshtërimit tim dhe se në sajë të reaksionit të shkrimtarëve francezë, kushtet e burgimit tim atje u përmirësuan…”

 Ndërkohë në vitin 1898 mori vesh që i vdiq gruaja e tij Constance, çka e vrau shumë. E ndjeu se kishte humbur gjithçka në këtë botë: prindërit, gruan, nderin e tij dhe të familjes, pasurinë e tij, gjithçka, madje dhe dashuria për Douglas ishte zbehur. Kështu Wilde u nis drejt Parsisit ku u vendos në Hotel Alsace, në Rue des Beaux Arts pranë Odeonit. Në Paris ai kaloi vitet më të trishta dhe në mungesë të të dashurit Alfred, i cili kishte ikur ndërkohë në Itali. Në këtë hotel Wilde jetoi gjithnjë në mungesë parash, pasi atë e kishin shpronësuar nga gjithçka. Shumë të njohur e ndihmuan me para. Tashmë s’mund të bënte më jetën e dikurshme mondane. Hoteli ku u vendos Wilde ishte një godinë interesante e ngritur mbi themelet e një ndërtese të vjetër ku dikur mbretëresha Margot bënte takimet e fshehta me të dashurit e shumtë të saj.

Patroni i hotelit e vendosi atë në dhomën nr. 16, në një nga ato dhoma (me një aneks), që i vinin rrotull asaj strukture të çuditshme në formën e një torre pesëkatëshe, sikur të jesh në një far bregdetar apo qendër observacionesh kozmike. Pas vdekjes së Wilde, shumë vite më vonë, turistë të shumtë kërkonin ta shikonin këtë hotel dhe të flinin në dhomën ku kishte jetuar e vdekur gjeniu i madh. Dy nga më të njohurit janë padyshim Jorge Borghes dhe Jim Morrison. Gjatë viteve 1974 - 1983, sa herë vinte në Paris, Borghes do të vendosej në dhomën e irlandezit të famshëm Wilde, i cili ishte një nga autorët më të parapëlqyer të tij. Aty Borghes përktheu librin Princi i lumtur dhe tregime të tjera të Wilde. Më 7 maj të vitit 1971, pikërisht në atë dhomë ishte vendosur dhe Jim Morrison me të dashurën e tij, Pamela Courson. Dhoma nr. 16 ... atje ku Wilde kishte mbyllur sytë. Biografët e tij tregojnë aventurat parisiane të Morrison kur i droguar, një ditë ishte hedhur nga kati i dytë por fatmirësisht nuk kishte vdekur, meqë kishte rënë mbi një makinë të parkuar pranë hotelit. Ashtu, me brinjë të thyera ai ishte ngritur, ishte mjekuar dhe ishte rikthyer sërish. Pikërisht në këtë hotel, Morrison kishte takuar Jean Breuteil, i cili i kishte dhënë atë dozë heroine që do ta shuante jetën e tij në një tjetër apartament parisian. Po në këtë dhomë vinte shpesh dhe kompozitori e këngëtari Serge Gainsbourg, i cili kompozoi këtu muzikën e diskut Histoire de Melody Nelson.

Aty, hija e përjetshme e Oscar Wilde grishte e vazhdon të grishë njerëz e artistë nga e gjithë bota. Më 11 mars të vitit 1891 Wilde kishte shkuar të takonte Émile Zola-në, në një kohë kur sapo ishte botuar libri i tij Portreti i Dorian Grey. Zola, që kishte botuar romanin La Guerre, i fliste atij për ngjarjet e romanit dhe se si i ishte dashur të shkonte në vendet ku ishin zhvilluar betejat e Sedan-it dhe të lexonte më parë dokumente historike rreth kësaj beteje. “Dokumentet kanë shumë rëndësi për të shkruar një roman, - kishte këmbëngulur ai. - Nuk ka roman të mirë nëse nuk është mbështetur në dokumente historike. ” Ndërsa Wilde i ishte përgjigjur: “Atë po thoja dje dhe unë kur isha tek Alphonse Daudet. Për të shkruar Dorian Grey-in mu desh të lexoja dokumente të ndryshme, madje dhe mbi listën e bizhuterive të kohës. Dje kalova disa orë me një katalog të hortikulturës për të gjetur emrin e luleve dhe përshkrimin e tyre…”.

Kur romani Portreti i Dorian Grey-it u botua, ai kishte dëshirë t’ua dhuronte miqve më të afërt letrarë, siç ia dhuroi Mallarme-së, të cilin e konsideronte poetin më të madh të asaj kohe në Francë, apo shkrimtarit të ri André Gide i cili e adhuronte dhe siç mendonte Wilde, kishte rënë në dashuri me të por Oscar kishte ende të dashurin e tij Alfred Duglas, apo Bosie siç e quante me përkëdhelje ai.

*Shkëputur nga libri “Bohemë anglosaksonë në Paris”, i autorit Luan Rama, botuar në vitin 2020 nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH