Arte

PIKTURA E DITËS: “Zgjimi” i Safo Markos i vitit 1978, sakrificat e mëdha në rrugën drejt dijes

Shkruar nga Liberale

PIKTURA E DITËS: “Zgjimi” i Safo Markos i vitit 1978,

Ishte një kohë kur fëmijët ishin të shumtë pothuajse në çdo familje shqiptare. Zgjimi para se të shkonin në shkollë i mblidhte ata çdo mëngjes për të përsëritur mësimet dhe për të bërë detyrat e shtëpisë. Më i madhi prej tyre zakonisht ndihmonte të tjerët.

Ky moment është portretizuar mjeshtërisht në pikturën e vitit 1978 nga Safo Marko, titulluar “Zgjimi”. Një zgjim që të çonte drejt rrugës së dijes. Përmes dijes kombi sheh të ardhmen e tij. Edhe pse vepra i përket realizmit socialist, Safo ka përcjellë mesazhin e dashurisë mes anëtarëve të rinj të familjes, gërshetur me traditën dhe me përgjegjësitë që ata marrin që në vegjëli, për realizimin e detyrave shoqërore.

Safo Marko kreu shkollën e mesme në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Duke qenë e martuar me shkrimtarin Petro Marko i cili u arrestua dhe dënua në vitin 1947, sigurisht ju mohuan shumë të drejta në fushën e artit.
Kjo gjë i ndodhi edhe në vitin 1975 kur ju arrestua i biri për agjitacion e propagandë. Vepra e Safo Markos duket sikur e sfidoi regjimin teksa ajo gjen forcë dhe i përkushtohet artit të fëmijëve. 

Piktorja Safo Marko deri në vitet e fundit të jetës mbeti bashkëpuntore e revistave për femijë si “Sirena e vogël”, “Mrekullia” etj. por gjithashtu ajo realizoi edhe kopertina dhe ilustrime për librat.

Artistja vazhdoi të punojë deri vonë në moshë të thyer vepra në pikturë me motivet e bregdetit Jon. Safo Marko ndërroi jetë më 26 gusht 2012.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen njëzet vepra të artistes Safo Marko të viteve 1959-1998 ku mund të kujtojmë: “Qymyrxhesha” (1959), ”Portreti i Petro Markos” (1960), “Shitësja e luleve”(1960), “Autoportreti” (1960), “Fidanët” (1973), “Vajzat e Himarës (1998). Vepra të artistes ruhen në familjen Marko si dhe nga koleksionistë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH