Ajo valixhe e shpuar emigranti e shndërruar në posterin e filmit Honeymoons të Goran Paskaljkevicit, përmban, veç simbolikës së veprës artistike, edhe një tjetër simbol. Është pikërisht një emigrant autori i saj, Agim Sulaj.
Agim Sulaj piktor e karikaturist shqiptar. Ka lindur në Tiranë në vitin 1960 dhe është rritur në Vlorë. 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga "Hosteni".
Në vitin 1985 diplomohet në Akademinë e Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te "Hosteni", e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj.
Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij "Valixhja e emigrantit" punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në "Aydin Dogan International Cartoon Competition". Në vitin 1992 hap një ekspozitë Rimini e në vitin 1993 një tjetër në Brindisi.
Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në Rimini. Fillimisht vetëm e më pas tërheq edhe gruan e djalin e vogël. E që atëherë ka jetuar aty, është vendi ku ka vendosur kavaletën e vet, dhe prej nga ku shkon në të katër anët e botës me pikturat dhe karikaturat e veta. E merr vlerësimet maksimale kudo.
Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg.