Zef Kolombi i takon rilindjes shqiptare dhe konsiderohet si piktor i asaj periudhe, siç kanë qenë edhe Kolë Idromeno, Abdurahim Buza, Odhise Paskali, me radhë Spiro Ceka para tij.
Zef Kolombi ka pasur një rol shumë të madh në këtë mes si piktor dhe në pikturat e tij gjejmë: jo vetëm një shkollë shumë të mirë, shumë profesionale, por me një ide interesante me krijimtarinë, duke filluar që nga natyrat e qeta, e me portretet dhe kompozimet e tij. Vepra më lart e Zef Kolombit ndodhet kryesisht në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Ai u lind në Sarajevë më 1907, me baba nga Shkodra dhe nënë nga Sllovenia. Prindërit i vdiqën kur ishte shumë i ri dhe ai u rrit nga gjyshja e tij në Shkodër. Pas një rinie të vështirë, në vitin 1929, ministri Hilë Mosi i akordoi një bursë shtetërore për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1933, punoi si mësues vizatimi në Shkollën Normale të Elbasanit.
Rreth 50 piktura dhe skica të tij, prej të cilave më të hershmet datojnë prej vitit 1926, ruhen deri në ditët e sotme. Midis tyre gjenden portrete dhe peizazhe të qeta, shpesh me një tis melankolie.
Zef Kolombi punoi në të gjitha gjinitë e pikturës, në peizazh, ku atë prapë e gjejmë në GKA, ku ka “Autoportretin” e tij dhe një portret të të birit, mendohet edhe një tjetër i të birit si kompozim. Ka natyra të qeta, dhe motive popullore.
Dy vitet e fundit të jetës i kaloi i sëmurë nga astma dhe tuberkulozi, derisa u nda nga jeta, më 23 janar 1949.
Për veprimtarinë e shquar kulturore dhe arsimore, Zef Kolombi është vlerësuar me disa çmime, si: “Mësues i Merituar”, “Piktor i Merituar” apo “Piktor i Popullit”.
Veprat e tij më të njohura janë:
Skënderbeu në ndeshje me dy persët” vaj 1927
“Madona e Rafaelit” vaj 1926,
“Darkë pomjetane” vaj 1927,
“Dy vizatime nudo” laps 1931,
“Portreti i Pinës” vaj 1933,
“Tufë me lule kadife” vaj 1033,
“Shën Avllashi i Durrësit” vaj 1936,
“ Rrënoja në Elbasan” 1938
“Të korrurat” vaj 1940,
“Vazo me lule” vaj 1938,
“Tri rriska shalqiri” vaj 1940,
“Rrush, verë, mollë” vaj 1940,
“Portreti i Julianit” vaj 1941,
“Portreti i Gjovalinit” vaj 1946,
“Portreti i së shoqes” vaj 1947, etj