Vepra më lart e Hasan Nallbanit, i është kushtuar një figurë e madhe patriotike e kombit tonë, "Ramadan Zaskocit" për një gjest trimërie. Ka qenë një prijës që theu trupat osmane e më pas ato serbe.
Pak nga jeta e autorit:
Hasan Nallbani, një artist i njohur shqiptar i lindur në Berat, ka lënë një gjurmë të rëndësishme në artin viziv shqiptar. Ai studioi Pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë nga viti 1960 deri në 1964, dhe fillimisht punoi si skenograf në Teatrin Popullor në Tiranë.
Nallbani njihet për pikturat e tij, si "Refugjatët" dhe seritë e peizazheve, dhe fitoi çmimin e tretë në konkursin kombëtar të artit me veprën “Letër nga shtabi” në vitin 1968.
Më vonë, ai krijoi Muzeun Ikonografik “Onufri” në Kalanë e Beratit dhe ka ekspozuar në vende të ndryshme si Franca, Tiranë, Berat, dhe Vlorë.
Në vitin 2008 u shpall Artisti Pamor më i Mirë i Vitit, dhe në 2010 fitoi çmimin në konkursin ndërkombëtar “Onufri”.
Pas vitit 1990, Nallbani u angazhua në Akademinë e Arteve si shef i Departamentit të Pikturës dhe Skulpturës, ku propozoi tema të reja dhe trajtime estetike që reflektuan tranzicionin shoqëror në Shqipëri.
Veprat e tij pasqyrojnë eksodin dhe kontrastet shoqërore, duke e bërë atë një nga artistët më dinamikë të brezit të tij.
Në vitin 2017, Presidenti i Shqipërisë e nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh”, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar.