Vepër e realizuar nga Fatmir Krypa
Fatmir Krypa lindi në Gjakovë më 1942 i cili kreu shkollën fillore në vendlindje, Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd.
Fatmir Krypa i takon brezit të vjetër të krijuesve të arteve pamore, i cili që nga Shkolla e Mesme e Arteve në Pejë e deri me sot aktivisht mirret me punë kreative. Si zakonisht që ndodhë gjatë periudhave më të brishta, më dramatike krijuesit e arteve atë situatë e kanë shpërfaqë përmes veprave artistike.
Fatmir Krypa, i cili në asnjë çast nuk u nda nga krijimtaria pa marrë parasysh kushtet dhe rrethanat ekzistuese, tejet të pavolitshme, ai me devocion dhe pandalshmërie edhe në këto kohëra të bezdishme e vazhdoi rrugëtimin e tij krijues.
Pa dyshim krijuesi Krypa ka aftësinë superiore për të depërtuar në shoqërinë njerëzore, që përmes artit të tij të kuptohen rrënjët e një kulture të lashtë. Të venerohen rëniet dhe ngritjet e një etnosi nëpër shtjellat e historisë së njerëzimit.
Ai radhitet si një ndër mjeshtrat më të mëdhenj të artit grafik, të veprave me vlera të përmasave ndërkombëtare, për çka dëshmojnë çmimet e shumta në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare. Pra, arti i krijuesit në fjalë, mëvete ka thellësinë e substancës së krijimtarisë të stampuar me vulën e së vërtetës, që konsiderohet gjëja më thelbësore në marrëdhëniet e artit dhe të kulturës të përmbledhura në fokusin e identitetit tonë kombëtar.