Pikturë e realizuar nga Jean-Baptiste Van Mour (9 janar 1671- 22 janar 1737)
Tabloja e ekspozuar në Rijks Museum Amsterdam paraqet vrasjen me tradhëti të kryengritësit shqiptar Halil Patrona dhe jeniçerëve të tij besnikë nga Sulltan Mahmuti I, nipi i sulltanit të rrëzuar
Kryengritja e verës së vitit 1730, në Stamboll, del e shënuar në të gjitha enciklopeditë historike botërore. Halil Patrona një shqiptar me origjinë nga Manastiri arriti që me një kryengritje gjithëpopullore të turmave të pakënaqura të Stambollit dhe me përkrahje të regjimentit të Pestë të Jeniçerëve, të cilin e përbënin rreth 12.000 jeniçerë shqiptarë, të ndërronte nga froni Sulltan Ahmedin e Tretë dhe ta vendoste në post, djalin e vëllait të tij, Sulltan Mahmudin.
Më pas Halil Patrona befasisht sulmohet prapa shpine të cilit i pritet edhe koka, ashtu si edhe 26 bashkëpunëtorëve të tij.
Mijëra jeniçerë shqiptarë pas vrasjes së tij fillojnë të riorganizohen dhe të ikin nga Stambolli në drejtim të maleve të tyre, të paarritshme për dorën hakmarrëse. Për gjashtë muaj, Veziri i Madh, Ibrahim agë Veshmadhi, kishte prerë mbi 15 mijë koka të kryengritësve.
Detyra, për t’i ndëshkuar kryengritësit shqiptarë, të cilët kishin ikur nga Stambolli për në Shqipëri, i ngarkohet Osman Topallit nga Moreja. Ai, në cilësinë e inkuizitorit, kishte marrë për detyrë të depërtonte në thellësitë malore të Shqipërisë, për t’i vrarë dhe për t’i asgjësuar kryengritësit shqiptarë.
Hostoria e kryengritësit shqiptar Halil Patrona ka tërhequr interesin e artistëve më të shquar të kohës në Europë si e piktorit francez Jean-Baptiste Van Mour.
Rijks Museum Amsterdam është galeria kombëtare e arteve të bukura të Holandës me 8000 objekte të ekspozuara nga një koleksion mbi 800-vjeçar prej 1 milion objektesh të mbledhura nga viti 1200 deri në vitin 2000.
Prof. Dr. Refik Kadija teksa e ka vizituar ekspozitën thotë se ka mbetur i befasuar. Ai dalloi mes tyre edhe 6 piktura me motive shqiptare. “Kisha shkruar për ato në shtypin shqiptar, kisha dëshirë dhe interes të veçantë të shkoja në Rijks Museum Amsterdam dhe t’i gjeja vetë këto piktura të ekspozuara atje, aq më tepër që të paktën dy prej tyre kishin të bënin direkt me historinë e trimit të famshëm shqiptar Halil Patrona.”
“Në gusht 2022 e vizitova muzeumin në Amsterdam dhe, thuajse me ngazëllim fëminor, i gjeta 6 pikturat me motive shqiptare të Jean-Baptiste Van Mour-it, njërit prej piktorëve më të shquar europianë të shekullit XVIII, i cili mund të jetë piktori i parë europjano-perëndimor që ka pikturuar portrete dhe kostume shqiptare në fillim të shekullit XVIII” .
Jean-Baptiste Van Mour u njoh me historinë dhe trimëritë e shqiptarëve duke realizuar disa vepra me motive shqiptare para se të ndërronte jetë në Stamboll. 6 nga veprat e tij me motive shqiptare ndodhen në muzeun e Amstedamit.
Tabloja vijon me pikturën e dytë të trimit shqiptar Halil Patrona, zëvendësin e tij, pemëshitsin Muslu Beşe, dhe flamurtarin Emir Ali kafexhiu (në të djathtë të hyrjes në sallon).