Arte

PIKTURA E DITËS: "Dita e Flamurit"- Nga Aleksandër Filipi, me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

Shkruar nga Liberale

PIKTURA E DITËS: "Dita e Flamurit"- Nga Aleksandër Filipi,

(Vepër e realizuar nga piktori Aleksandër Filipi, e publikuar në llogarinë "Facebook", të Dash Frashërit).

Sot, më 28 nëntor në Shqipëri kujtohet Dita e Pavarësisë. Dita, kur Shqipëria u vetëshpall e pavarur, në Vlorë, më 28 nëntor të 1912-ës, nga Ismail Qemali.

Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por 40 ishin firmëtarët që nënshkruan Aktin e Pavarësisë.

Data 28, është e veçantë për shqiptarët, duke qenë se në këtë datë, në dy vite të ndryshme kanë ndodhur dy ngjarje historike për Shqipërinë. Më 28 nëntor 1443, heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e saj. 469 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, i quajtur gjithashtu si “nëntori i dytë”, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemali i cili ngriti flamurin në Vlorë.

Pak nga jeta e artistit:

Aleksandër Filipi ka lindur në Berat dhe ka kryer Akademinë e Arteve, dega pikturë. Ka qenë pjesëmarrës në shumë ekspozita dhe konkurse të ndryshme, ku është vlerësuar edhe me çmime. Në ekspozitën Kombëtare në gjininë monumentale për veprën mozaik “Shqipëria” ka fituar çmimin e parë.

Duke filluar nga viti 1977 me diplomimin e tij në Institutin e Lartë të Arteve nëTiranë, Filipi ka qenë gjithmonë i prirur në realizimin e tablove kompozicionale, duke realizuar tema historike, legjenda shqiptare dhe motive nga jeta e përditëshme.

Gjithmonë i figurshëm e me mjete komunikuese, Filipi në vazhdimësi mbetet një piktor i rëndësishëm bashkëkohor i tablosë kompozicionale në Shqipëri, ku vendin kryesor e zë figura njerëzore.

Veprat e artistit Filipi janë ekspozuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, e janë gjithashtu pjesë e koleksioneve private në Shqipëri, Kosovë, Gjermani, Greqi, Itali, Francë, Venezuelë, Spanjë dhe SHBA. Vepra me titull  “Deklarimi i Aktit të Pavarësisë”, ndodhet në selinë e Kuvendit të Shqipërisë.

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH