Lufta duket se ka qenë frymëzim për piktorin Andon Lakuriqin, i cili një tablo dedikuar kësaj pjese të historisë e quan “Për ata që i kënduan luftës”, e realizuar në vitin 1974.
Tabloja shtjellon një moment interesant, modest, por domethënës. Partizanët dhe fshatarët të ngjitur aty mbi fshat, janë ulur e po dëgjojnë një këngë për luftën, për dëshmorët e saj. E këndon këtë një djalosh i vogël, një nga ata që mbushën radhët e partizanëve dhe e shoqëron me violinë një trim nga ata të malit.
Në këtë peizazh të ashpër, si vetë jeta e shqiptarëve, shpërndahen tingujt melodiozë të këngës. Tablonë e përshkruan një dinamikë e brendshme, një patos epiko-lirik. Duke pasqyruar këtë episod piktori ka fiksuar edhe qëndrimin e tij estetik, ka futur ndjenjat dhe emocionet e veta, mendimet që i ka ngjallur ky realitet.
Veç djaloshit që i këndon, i armatosur me fishekë e me granata, një djalë tjetër simpatik e tipik fshatar, figurë interesante është dhe violinisti.
Andon Lakuriqi është piktor i shquar shqiptar qe i përket rrymës se impresionizmit. Ai ka lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1934, dhe ka mbaruar më pas liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë.
Pas përfundimit të Institutit të Lartë të Arteve, ai punoi disa vite në Tiranë si pedagog i pikturës në Liceun "Jordan Misja" më pas kthehet në Elbasan, qyteti që do të kthehej në frymëzimin e përhershëm të tij artistik, deri në fund të jetës.
Ai mban titullin "Piktor i Merituar" dhe Urdhrin "Naim Frashëri", si dhe është fitues i një sërë çmimesh kombëtare në pikturë.
Për nder të tij një rrugë në qytetin e Elbasanit mban emrin e tij.