Piktori me famë botërore, Nderi i Kombit Ibrahim Kodra ka spikatur edhe si një poet i talentuar.
Pak e dinë që Ibrahim Kodra piktori me famë botërore, "Nderi i Kombit", ka shkruar dhe poezi.
Në prill bëhen 107 vite ku në Likmetaj, Ishëm të Durrësit lindi piktori i madh shqiptar emri i i të cilit thuhet me krenari nga shqiptarët Ibrahim Kodra.
Nderi i Kombit, piktori me famë botërore Ibrahim Kodra, është lindur më 22 prill të vitit 1918 në Likmetaj Ishëm. Ai ishte nip në Shetaj te Ramë Lika. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, u ndërpre kur mbushi 20 vjeç (1938). Asokohe ai largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.
Studio e tij ishtë e zhveshur dhe modeste. Piktorit i pëlqente të priste këdo që shfaqej në derën e tij.
“Kodra është primitivi i një qytetërimi të ri”, shkruante Paul Eluard për të në vitin 1947. “Me pikturën time – thotë Kodra – përpiqem mbi të gjitha të realizoj masën (matjen) relative që ka të bëjë me perceptimin e njeriut në hapësirë, duke e vendosur, si në Rilindje, njeriun në qendër të Universit”.
Në hulumtimin artistik të Kodrës, kubizmi i Pablo Pikasos do të ketë shumë ndikim, sidomos pas miqësisë së tyre në Romë më 1948, deri në atë pikë sa të njëjtat gazeta spanjolle që flasin për Pikason treguan Kodrën si “postkubisti i fundit në Evropë” si Picasso.
Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.
Ibrahim Kodra vdiq më 7 shkurt të vitit 2006 në Milano. Prehet në afërsi të kalasë së Ishmit, sipas amanetit të tij.
Kodra e lëshon Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta. Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me Pablo Picasso, pikërisht në këtë temë në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, në të cilën të dy së bashku ata kryen një hulumtim të thellë artistik.
Ibrahim Kodra ka pirë uiski me Heminguein, ka qëndruar gjatë me Kadarenë, të cilin e ka propozuar me shkrim për çmimin “Nobel”. Pak vetë e dinë që Kodra ka shkruar dhe poezi. Në shqip, por më shumë në italisht, dy prej të cilave janë përzgjedhur si më poshtë;
Poezi nga Ibrahim Kodra
NJË LULE
Mos më thuaj që nuk të kam dashur,
o lule e livadhit të virgjër!
Thuamë që është shuar dielli,
thuamë që toka është në flakë,
thuamë që hëna është ngjethur,
thuamë që qielli është në gjëmë,
thuamë që s’ka më agshole,
por mos më thuaj që nuk të kam dashur…
O NËNË
Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla
ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet,
o nënë.
Ku je fshehur?
Nuk e shoh më buzëqeshjen tënde,
sytë e tu, sytë e tu gjithë vëmendje,
që asnjëherë nuk lodheshin
së ndjekuri ecjen time të pasigurt.
Ishe gjithçka për mua.
Fytyra jote: më e bukura
mes muzave.
Dhe flokët e tu
të gjatë e të zinj
mbulonin faqet e gëzueshme,
kur gjoksi ngjallte ngrohtësinë
nëpër venat fëminore.
Tani ku je fshehur?
E freskët në kujtesën time,
rikthehu, o nënë,
të përkëdhelësh fytyrën time të lodhur. /Agim Lika/