Që fëmijë kishte mësuar të luante klarinetë dhe kështu filloi dashuria e tij për muzikën. Pas studimeve në Konservatorin e Parisit në Francë dhe Konvertatorin “Giuseppe Verdi” në Itali, kompozitori i ri Kristo Kono u kthye në Shqipëri duke hedhur hapat e parë për t'u bërë një nga kontribuesit e parë të muzikës klasike dhe operës shqiptare. Fillimisht si mësues muzike e më pas si kompozitor krijoi kore nëpër shkolla, punoi me korin e njohur “Lira”, shkroi romanca dhe këngë për këngëtarë të njohur të vendit të viteve ’30 si Jorgjia Truja dhe Tefta Tashko. Megjithatë, ngritja e kompozimit erdhi pas Luftës së Dytë Botërore. Pasi kompozoi kantata, muzikë filmash, rapsodi koralesh, vepra instrumentale vokale apo suita për orkestrën, në vitin 1954 iu kërkua të kompozonte diçka për festën e 10 viteve të çlirimit dhe kështu mori jetë opereta “Agimi”. Sfida ishte e madhe pasi ishte opereta e parë shqiptare e realizuar ndonjëherë, ndërkohë që vendit iu desh të priste edhe disa vite për të ndërtuar një teatër opere.
“Opereta e parë shqiptare doli në skenë 70 vjet më parë dhe ky ishte një moment historik për muzikën tonë klasike dhe zhanrin e operës. Kono është një nga artistët themelues të Operës sonë. Në atë kohë, artistë të njohur iu bashkuan këtij produksioni, Kono ishte kompozitori, Kol Jakova shkroi libreton dhe piktori Vangjush Mio projektoi skenografinë”, thotë Inva Mula, sopranoja dhe regjisorja e njohur shqiptare, e cila u bë pjesë e idesë për të rivënë në skenë operetë e harruar pas 7 dekadash me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Premiera e saj ishte në kuadër të MIK (11-14 korrik), një festival ndërkombëtar muzikor që Mula organizon prej vitesh në Korçë, qytet ku debutoi opereta “Agimi” në vitin 1954. Salla e teatrit “Andon Zako Çajupi” ishte e mbushur plot, ndërsa dy të moshuar, të cilët kishin ndjekur versionin e parë të operetës 70 vjet më parë, ishin ulur mes spektatorëve për të parë versionin e ri. Në mes të akteve, të pranishmit u kapën në befasi kur një pjesë e regjistrimit origjinal të operetës mbushi sallën e koncerteve.
Historia e veprës vendoset në një fshat në veri të Shqipërisë, ndoshta në Mirditë. Konflikti vjen pas një historie dashurie mes Hanës dhe Sokolit dhe xhelozisë së një burri tjetër në fshat që e do edhe Hanën. Libreti është përshtatur, për të hequr gjurmët e ideologjisë komuniste që pashmangshmërisht ishin pjesë e çdo vepre skenike në vitet 1950, por muzika është e njëjta.
“Ishte një lloj aventure, së pari sepse nuk është e lehtë për një festival të prodhojë një operetë të tërë, me tre akte dhe të gjithë personazhet. Më pas, meqë nuk kemi një arkiv, na u desh të mblidhnim copa letrash të dëmtuara, të vështira për t'u lexuar dhe të mblidhnim fragmente të fletëve muzikore për të rikrijuar operetën. Por ne e bëmë dhe jemi krenarë të themi se festivali MIK arriti ta dixhitalizojë dhe tani çdokush që dëshiron të studiojë operetën e parë shqiptare mund të ketë akses në të”, shpjegon Mula, e cila është edhe vajza e dy këngëtarëve të njohur të operës.
Njësoj si në versionin origjinal, ky restage mbajti dialektin gegë dhe toskë nga veriu dhe jugu i Shqipërisë, ashtu si këngëtarët i interpretuan fillimisht, duke bashkuar dy varietetet e gjuhës shqipe. Ndërsa emocionet u ndjenë skenë pas skene, fundi i operetës mori duartrokitje dhe vlerësime të mëdha.
Mula mendon se ka shumë shpresë në këtë vepër, një shpresë që vjen nga muzika dhe koralet e gëzueshme.
“Ndonjëherë tingëllojnë naive dhe të sinqerta, sepse është një muzikë që vjen nga shpirti dhe ndërthur motive shqiptare me një qasje klasike. Shpresa e ndjerë ka të bëjë edhe me artistët. Në vitin 1954 Kono e vuri në skenë me amatorë, ndërsa këtë vit e vumë në skenë me artistë të rinj 18-24 vjeç dhe jam e lumtur që shoh brezin e ri të punojë me kaq pasion”, thekson ajo.
Një nga bashkëpunëtorët e saj në festival është Aleks Ikonomidhi, një koordinator arti, i cili ka studiuar për drejtësi dhe histori arti dhe ka mbledhur fletët muzikore në arkivin e familjes së tij (dy xhaxhallarët e tij kanë qenë pjesë e operetës në vitet '50) dhe në institucionet shqiptare. I ri, por i apasionuar pas muzikës dhe trashëgimisë, ai kontrrolloi nëpër raftet e vjetra për të zbuluar shënimet e Kristo Konos dhe për t'i bërë homazhe.
Duke qenë se festivali i saj promovon natyrën, peizazhet, trashëgiminë dhe muzikën ndërkombëtare shqiptare, për Mulën, ringjallja e repertorit klasik shqiptar është e rëndësishme së bashku me interpretimin e veprave më të shquara të operës nga kompozitorë të famshëm botërorë.
Përgatiti: Liberale.al