Në foto: Komiteti i Vatrës gjatë viteve 1917–1918.
Më 3 qershor 1917, organizata patriotike "Vatra", e themeluar nga emigrantët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, e shpalli këtë datë si "Dita e Shpëtimit të Shqipërisë". Për të shënuar këtë rast, një komitet i posaçëm i Vatrës u bëri thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë të kontribuonin në një fond prej 40,000 dollarësh të dedikuar për shpëtimin e atdheut.
Qëllimi i fondit ishte të mbështeste përpjekjet dhe aktivitetet propagandistike që synonin mbrojtjen dhe promovimin e çështjes kombëtare shqiptare.
Komisioni do të miratonte njëzëri vendimin me disa pika:
· Të caktohet e diela e 3 qershorit si Dita e Shpëtimit të Shqipërisë për të mbledhur shumën prej 40.000 dollarësh të këshilluar prej doktor Mihal Turtullit.
· Të ftohen të gjitha degët e federatës me anëtarët e tyre të gjitha shoqëritë shqiptare të veçanta dhe të gjitha shoqëritë fetare kombëtare dhe të gjithë shqiptarët që të japin ndihmën e tyre sa më të madhe për shpëtimin e atdheut.
· Të ftohen gazetat dhe revistat shqipe që të bashkëpunojnë për të mbaruar këtë vepër e cila do të nderojë në sytë e botës dhe në sytë e Shqipërisë atdhetarët e Amerikës dhe do t’u japë një vend në historinë e Përlindjes Kombëtare.
· T’u lutemi atdhetarëve tanë të ndihmojnë me shumë mbi 10 dollarë nëse duam që të mblidhet shuma e këshilluar prej doktor Turtullit dhe të bëhet një punë vërtetë serioze dhe me rëndësi.
Organizata "Vatra" luajti një rol të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare gjatë njërës prej periudhave më kritike në historinë e vendit. E themeluar nga emigrantë të përkushtuar shqiptarë në një vend të huaj, ajo u bë zëri i Shqipërisë për botën duke vërtetuar se dashuria për atdheun nuk njeh kufij. Trashëgimia e saj mbetet një shembull i fuqishëm i unitetit, vetëdijes kombëtare dhe përkushtimit të palëkundur për ruajtjen e identitetit shqiptar.
Përgatiti : Hemelita Boriҫi