Masakra e Tivarit është tragjedia më e madhe e regjimit komunist që u realizua me pabesi ndaj të rinjve kosovarë. Ky mobilizim tragjik i çoi drejt vdekjes rreth 4000 persona, të cilët besohet se u vranë në qytetin e Tivarit nga forcat e ushtrisë jugosllave.
Në gjysmën e dytë të vitit 1944, udhëheqja jugosllave nën drejtimin e Titos synonte të ripushtonte Kosovën dhe të shtypte forcat mbrojtëse kombëtare të Shqipërisë. Për ta arritur këtë, në fillim të vitit 1945 ata urdhëruan mobilizimin e shqiptarëve të Kosovës në të ashtuquajturat "Brigadat e Kosmetit", gjoja për të mbështetur përpjekjet ushtarake jugosllave. Prizreni u zgjodh si pika e grumbullimit, ku ushtarët shqiptarë u çarmatosën me pretekstin se do të merrnin armë moderne më vonë në front. Ato u nisën për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe, ku në Tivar, sipas burimeve malazeze, do të stërviteshin para se të shkonin në front.
Gjatë marshimit të tyre të detyruar përmes terrenit të vështirë drejt Malit të Zi, ushtarët shqiptarë u keqtrajtuan, u rrahën dhe madje u vranë kur dilnin nga kolona për ta shuar etjen. Me të mbërritur në Tivar, një konflikt midis disa ushtarëve shqiptarë dhe rojeve jugosllave u përshkallëzua. Të rrethuar dhe të paarmatosur, shqiptarët u qëlluan nga njësitë partizane jugosllave.
Sipas raporteve të ndryshme, numri i shqiptarëve të vrarë në Masakrën e Tivarit varion nga 500 deri në 1,670. Për më tepër, grupi i tretë me 2700 veta u nis me 27 Mars 1945 dhe pas arritjes në Dubrovnik një grup prej 800 vetash u helmua nga një helm i panjohur pas vendosjes në një depo baroti, me pasoja fatale për shumicën.
Kjo ngjarje tragjike mbetet një nga faqet më të errëta të historisë së shqiptarëve duke dëshmuar për vuajtjet dhe padrejtësitë që iu bënë popullsisë shqiptare të Kosovës.
Përgatiti: Hemelita Boriҫi