Për herë të parë në Shqipëri janë ekspozuar veprat e piktorit surrealist, Salvador Dali, një nga emrat më të njohur në mbarë botën. Ekspozita, e titulluar “Sogno divino” (Ëndërr hyjnore), e hapur në galerinë Naan përmban 100 vepra origjinale të artistit, si një ilustrim i "Komedisë hyjnore" të Dante Alighieri-t.
Ardhja e tij lë mundësinë për të kuptuar më shumë rreth ndikimit të tij në artet vizive dhe kulturën e botës. Ky moment i veçantë tregon fuqinë e artit për të lidhur kulturat dhe vendet, duke krijuar një urë mes Shqipërisë, Italisë dhe Spanjës.
Kuratorët Zef Paci dhe Ajola Xoxa kanë krijuar një hapësirë të veçantë, ku vizitorët mund të shijojnë disa nga veprat më të njohura të Dali-t, duke përfshirë piktura, skulptura dhe forma të tjera arti që pasqyrojnë pasurinë e repertorit të tij artistik.
Dali, një nga figurat më të rëndësishme të artit të shekullit të 20-të, përmes punës së tij të palodhshme ka lënë një ndikim të madh në shumë fusha, duke përfshirë pikturën, skulpturën, filmin, modën dhe fotografinë.
Ekspozita gjithashtu përmban një dokumentar të detajuar mbi jetën dhe veprën e Dali-t dhe një dhomë speciale për të rinjtë dhe fëmijët, ku ata mund të lidhen më afër me artin surrealist.
Temat kryesore në punën e tij përfshijnë ëndrrat, subkoshiencën, seksualitetin, fenë, shkencën dhe marrëdhëniet e tij më të ngushta personale.
Përveç artit, ai bënte bujë edhe për sjelljen e tij të çuditshme që shpesh tërhoqi vëmendjen më shumë sesa veprat e tij artistike. Jeta dhe vepra e tij patën një ndikim të rëndësishëm në surrealistët e tjerë, në pop art, kulturën popullore dhe artistë bashkëkohorë si Jeff Koons dhe Damien Hirst.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun çdo ditë, përveç të hënave, deri më 12 shkurt 2025.
Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të shijuar punën e një prej artistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe për të përjetuar një eksperiencë që lidhet ngushtë me historinë dhe artin surrealist.