Kryesore

Lutje…

               Publikuar në : 10:26 - 07/09/20 liberale

“E dijmё shumё mirё se punёt qё bёjmё nuk janё mё shumё se njё pikё uji nё oqean. Por nё qoftё se ajo pikё uji nuk ёshtё atje, oqeanit i mungon diçka…”

Nënë Tereza nuk ishte poete, por Poezinë e frymoi në gjallje për të na e lënë trashëgim si një këngë dashurie…

Disa nga lutjet e saj, të mbledhura prej poetit Visar Zhiti, në vëllimin “Takohemi nëpër Lutje” janë  një testament i përjetshëm për Njeriun. Të thjeshta ashtu si jeta e saj, fisnike në thjeshtësinë e tyre, këto vargje të shenjtores shqiptare mbesin një kumt i thellë dashurie…

E di pse s’kemi paqe tani?
Kemi harruar të shohim
tek tjetri vetveten.

LUTJE PËR ATË QË MBJELL

Zot,
bekoje këtë burrë dhe copën e tij të tokës,
me qëllim që fara e hedhur
të sjellë fruta shumë.
Bekoji frutat e kësaj toke
me qëllim që ai dhe familja e tij
të ushqejnë jetën dhe uria të humbë.

Ashtu si ti që ke ndarë me ne të gjitha
dhuratat e mbretërisë sate,
bëj që dhe ky burrë
të ndajë bollëkun me ata
që s’kanë as tokë e as ç’të mbjellin.

Jepi këtij fermeri,
O zot,
e të gjithë neve
një shpirt të dëlirë,
me qëllim që mbjellja jote
të sjellë kallinj mirësie në jetën tonë.

 FEMRAT

Ki gjithmonë parasysh se lëkura krijon rrudha,

flokët bëhen të bardhë,

ditët shndërrohen në vite…

Por ato që janë të rëndësishme, nuk ndryshojnë:

forca jote dhe bindja jote nuk kanë moshë.

Shpirti yt është ngjitës për çdo rrjetë merimangash.

Pas çdo vendi mbërritjeje është një vend nisjeje.

Pas çdo suksesi ka një tjetër zhgënjim.

Për aq sa të jesh e gjallë, ndjehu e gjallë.

Nëse të mungon ajo që bëje, kthehu dhe bëje.

Mos jeto me fotot e zverdhura…

këmbëngul, edhe nëse të gjithë presin të largohesh.

Mos e lër të ndryshket hekurin brenda teje.

Vepro në mënyrë që në vend të mëshirës, të tjerët të të tregojnë respekt.

Kur për shkak të viteve nuk mund të vraposh, ec shpejt.

Kur nuk mund të ecësh shpejt, ec ngadalë.

Kur nuk mund të ecësh dot, përdor bastun.

Por mos u ndal asnjëherë!

GJEJ KOHË

Gjej kohë të mendosh
Gjej kohë të lutesh
Gjej kohë të qeshësh
Është burimi i fuqisë
Është fuqia më e madhe mbi tokë
Është muzika e shpirtit.

Gjej kohë për të luajtur
Gjej kohë të duash dhe të duhesh
Gjej kohë të japësh
Është sekreti i rinisë së përjetshme
Është privilegj i dhënë prej Zotit
Dita është shumë e shkurtër për të qenë egoistë.

Gjej kohë të lexosh
Gjej kohë të jesh mik
Gjej kohë të punosh
Është burim mençurie
Është rruga e lumturisë
Është çmimi i suksesit.

Gjej kohë të bësh mirësi
Është çelësi i parajsës.

HIMNI I JETËS

Jeta është një shans, kape.
Jeta është bukuri, adhuroje.
Jeta është bekim, shijoje.
Jeta është ëndërr, bëje realitet.

Jeta është sfidë, përballoje.
Jeta është detyrë, kryeje.
Jeta është lojë, luaje.
Jeta është e çmuar, kujdesu për të.

Jeta është pasuri, vlerësoje.
Jeta është dashuri, jetoje.
Jeta është mister, zbuloje
Jeta është premtim, mbaje.

Jeta është trishtim, kaloje.
Jeta është himn, këndoje.
Jeta është luftë, pranoje.
Jeta është aventurë, rrezikoje.

Jeta është jetë, mbroje.

JEP ÇKA KE ME TË MIRË…

Njeriu është i paarsyeshëm, i palogjikshëm, egoist

nuk ka rëndësi, duaje.

Po bëre mirë, do të të veshin qëllime dytësore egoiste

s’ka rëndësi, bëj mirë.

Po realizove objektivat e tua, do të gjesh miq të rremë dhe armiq të vërtetë

s’ka rëndësi, realizoji.

E mira që bën do të harrohet nesër

s’ka rëndësi, bëj mirë.

Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të lëndueshëm

s’ka rëndësi, ji i sinqerte dhe i ndershëm.

Ajo që për vite ke ndërtuar mund në një çast të prishet

s’ka rëndësi, ndërto.

Nëse ndihmon njerëzit, do të lodhesh

s’ka rëndësi, ndihmoji.

Jepi botës çka ke më të mirë, e do të zënë me shqelma

s’ka rëndësi, jep… çka ke më të mirë.

MOS JETO KURRË PA JETË!

Dita më e bukur? Sot.

Pengesa më e madhe? Frika.

Gjëja më e lehtë? Të gabosh.

Gabimi më i madh? Të heqësh dorë.

Rrënja e çdo të keqeje? Egoizmi.

Mëndjeheqja më e mirë? Puna.

Humbja më e madhe? Mospasja e kurajës.

Profesionistët më të mirë? Fëmijët.

Nevoja e parë? Komunikimi.

Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët.

Misteri më i madh? Vdekja.

E meta më e keqe? Të qenit pa humor.

Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen.

Ndjenja më e shëmtuar? Mëria.

Dhurata më e bukur? Falja.

Ajo më e paçmuara? Familja.

Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur.

Sensacioni më i kënaqshëm? Paqja e brendshme.

Pritja më e mirë? Buzëqeshja.

Ilaçi më i mirë? Optimizmi.

Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.

Forca më e madhe? Besimi.

Gjëja më e bukur në botë? Dashuria.

***

Disa vjet mё parё shtёpia botuese amerikane “New City Press” botoi njё libёr tё vogёl me fjalё tё urta tё Nёnёs Terezё. Titulli i librit ёshtё 99 thёnie tё Nёnёs Terezё” dhe nёntitulli: “Njё pikё uji nё oqean”. Ata kanё botuar disa libra tё kёtij lloji midis tyre 99 thёniet e Mahatma Gandit dhe tё Papёs Gjon Palit tё Dytё. Ështё njё doracak si njё libёr xhepi; i pёrngjan njё ungjilli tё vogёl, nga ku mund të shihemi në pasqyrë për të kërkuar veten tonë më të mirë…

– “E dijmё shumё mirё se punёt qё bёjmё nuk janё mё shumё se njё pikё uji nё oqean. Por nё qoftё se ajo pikё uji nuk ёshtё atje, oqeanit i mungon diçka.

–  Nuk ёshtё e rёndёsishme çka bёjmё, por ёshtё e rёndёsishme sa dashuri i kushtojmё punёs qё bёjmё: gjёrat e vogla duhet t’i bёjmё me shumё dashuri.

– Kur qesh, unё dёgjoj muzikёn e buzёqeshjes tёnde.

– Gёzimi rrezaton nga syri juaj, nga fytyra juaj, nё çdo moment. Mos e vra gёzimin, sepse do tё shpёrthejё. Kur tё tjerёt shohin gёzim nё sytё tuaj, ata shohin se jeni fёmijёt e Zotit.

–  Gjithmonё duhet tё kemi gёzim nё buzёt tona, pёr çdo fёmijё dhe person qё mund tё ndihmojmё. Do tё ishte gabim fatal nё qoftё se jemi tё shqetёsuar vetёm pёr ilaçet e tyre. Duhet t’u japim zemrёn dhe dashurinё tonё.

– Varfёria nuk ёshtё krijuar nga Zoti. Ne e kemi prodhuar vet varfёrinё – ju dhe Unё – me egoizmin tonё.

–  Mund ta gjeni Kalkutёn kudo nё botё. Vetёm duhen sytё pёr ta parё. Kudo nё botё jetojnё njerёz qё nuk i do kush, njerёz qё nuk u ndihmon kush, qё janё tё braktisur dhe tё harruar dhe kjo ёshtё varfёria mё e madhe.

–  Pёr çdo sёmundje ekzistojnё ilaçet dhe terapitё, por jo pёr ata qё nuk i do kush. Kjo ёshtё gёrbula e Perёndimit.

– Jam e bindur se tortura mё e madhe kundёr njeriut ёshtё ndjenja e braktisjes.

– Dashuria ёshtё fryti mё i ёmbёl i tё gjitha stinёve dhe duhet ta shijojnё tё gjithё.

– Ata qё janё tё lumtur predikojnё edhe kur nuk predikojnё.

– Pemёt, lulet dhe bari rriten nё qetёsi. Yjet, dielli dhe hёna lëvizin nё qetёsi. Qetёsia u jep vizion gjёrave.

– Fryt i qetёsisё ёshtё lutja. Fryt i lutjes ёshtё besimi.Fryt i besimit ёshtё dashuria. Fryt i dashurisё ёshtё shёrbimi. Fryt i shёrbimit ёshtё paqja.

– Burimi prej ku pini ujё duhet tё jetё shume i thellё. Kёshtu do ta gjejnё burimin ata qё i dashuroni.

 

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back