Aktualitet

KPA pezullon nga detyra gjyqtarin Luan Daci

Shkruar nga Liberale
KPA pezullon nga detyra gjyqtarin Luan Daci

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pezulluar nga detyra gjyqtarin Luan Daci.

Ditën e djeshme Luan Daci në cilësinë e të pandehurit është paraqitur në SPAK për akuzën e falsifikimit të dokumenteve, i shoqëruar dhe nga 2 avokatët e tij Andi Duraj e Jordan Daci.

Sipas SPAK, gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t'u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.

Njoftimi i SPAK

Pas vënies në dijeni nga vetë gjyqtar Luan Daci, për marrjen e tij në cilësinë e të pandehurit nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua sot Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila, me vendimin nr. 14, datë 24.07.2020, në zbatim të nenit C, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, të nenit 128, pika 3, germa “b”, të nenit 179, pika 7, si dhe të nenit 179/b, pikat 5 dhe 6 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vendosi:

1. Pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, z. Luan Daci.

2.Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në funksion të ushtrimit të veprimtarisë normale të tij, duke respektuar pavarësine dhe paanësinë e organeve proceduese, si dhe parimin e prezumimit të pafajësisë për gjyqtarin Luan Daci, u kërkon organeve proceduese të vijojnë me një proces të shpejtë, në përputhje me parashikimet e ligjit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH