Letërsi

"Kandidati", një libër i fortë politik

Shkruar nga Liberale
"Kandidati", një libër i fortë politik

“Kandidati”, romani i Ben Blushit një lexim i përhershëm mbi demokracitë e brishta

“Më kërkuan të ngjall një të vdekur dhe meqë ato kohë nuk kisha asgjë më të mirë për të bërë, pranova. Njeriu që kishte vdekur ishte kryetari i bashkisë së Basenit. Quhej Kadim Sedini. Gruaja e tij, erdhi në zyrën time dhe më tha se, donte që burri të rizgjidhej kryetar bashkie. Nëse e ndihmoja, do të më paguante. Sa të doja, tha gruaja”.

Ben Blushi një nga prozatorët më të rëndësishëm të Shqipërisë së 3 dekadave të fundit, e nis kështu romanin “Kandidati”, Botimet Mapoedition 2015-të. Gati 5 vjet nga dalja e romanit në librari, një video e bërë publike në rrjetet sociale duket si një ftesë për një lexim të ri. Librat e mirë thoshte Graham Green nuk kanë asnjëherë një histori. Ti e rimerr për ta lexuar pas 10 vitesh, e papritur lexon një histori tjetër.

Libri nis me një motiv parabiblik, si një komunikim i bashkëkohores me eposin apo baladat shqiptare, përmes rrëfimit të një gruaje që përfaqëson mendësinë kryengritëse të njeriut në raport me vdekjen. Ringjallja ky motiv që duket sikur letërsia e kishte humbur, vjen si një vazhdim i përpjekjeve të Torah-ut në eposin hebraik, ku njeriu i ankohet hyut që e bëri të përkohshëm, një përpjekje e hershme e letërsisë shqipe që me Kutelin më 1947-të me “E madhe është gjëma e mëkatit“. “Tash un po due jetë me ndrrue“ lexojmë tek Muji e Halili. Por në shekullin e XXI nuk janë më kreshnikët që sfidojnë vdekjen. Pushtetin që historia gjithnjë ia ka fshehur grave për vetë historinë e tyre në historinë e njerëzimit, tashmë letërsia ua beson lehtë. Dhe ringjalljen tek “Kandidati” e kërkon një grua, duke na zhvendosur menjëherë nga historia jonë e letërsisë ku gra të ndrojtura na shfaqen pambarimisht, tek një tjetër personazh grua që personifikon forcën e kësaj gjinie në këtë shekull. Ky roman u jep grave rolin e mohuar në historinë tonë letrare.

Narratori kryesor në roman nuk e vë në dyshim kërkesën e kësaj gruaje që një i vdekur të fitojë zgjedhjet për Kryetar Bashkie. Në asnjë moment ai nuk mendon se ajo është e çmendur. Letërsia gjithnjë i jep jetë të pamundurës, surreales, ndaj dhe narratori nuk e vë në dyshim të vdekurin, të bëjë fushatë në emër të tij. Ngjarjet vendosen në Shqipërinë e viteve të fundit e kjo e bën leximin të shpalosë para teje ndjesi e ngjarje që kujtesa i ka fotografuar në zhvillimet e këtij vendi. Të gjitha vijnë përmes një stili që përshkrohet nga një ironi therëse.

Vizatues i mirë i galerisë së  një personazhi, Blushi,edhe pse gjatë leximit të krijohet përshtypja se është narratori ai që shpaloset i plotë, në fund të tij përkap të ravijëzuar me kujdes çdo personazh qoftë edhe periferik, që shfaqet gjatë subjektit. Për të nuk ka personazh të parëndësishëm, e ndoshta kjo e bën Blushin një autor të fortë.

Ngjarjet në roman zhvillohen në qytetin e Basenit, qytet i cili do t’i mbetet galerisë së qyteteve në historinë e letërsisë shqipe, si qyteti që do të personifikojë zhvillimet e brishta të demokracisë shqiptare pas viteve 90-të; kaosin politik,ku fantazmat e së shkuarës ende nuk kanë gjetur qetësi në rrëfimet e së tashmes.  Një Shqipëri gati despotike në fatin e saj, na konfigurohet nga një faqe në tjetrën, ku fatet politike ende nuk janë udhëhequr nga agjenda të mbështetura mbi integrimin, por mbi interesa vetjake. Një Shqipëri gati groteske, ku fare lehtë Qazim Sejdini, një i vdekur mund të rifitojë zgjedhjet për Kryetar Bashkie.

Një libër i fortë politik, Kandidati është mënyra më e mirë ku mund të shohim ende Shqipërinë e së tashmes.

I njohur për lidhjet e tij të forta me historinë, Blushi hyn tek ata autorë bashkëkohorë që e shohin historinë si një lëmë të qenësishme, me të cilin letërsia duhet të komunikojë. Le të mos harrojmë se subjektet mbi historinë dominojnë pjesën më të madhe të krijimtarisë së  kohës. Blushi ka meritën që e nxjerr nga harresa historinë, duke e futur në letërsi i bindur se vetëm letërsia ka aftësinë e së përjetshmes.

E në qytetin e Basenit historia rivjen përmes personazheve që dikur ishin protagonistë të tij. Një prej tyre ishte dhe Lef Nosi. E jeta e një burri është më e plotë e më e besueshme kur vjen nën rrëfimet e një gruaje. E është pikërisht ish e fejuara e Nosit që risjell copëza jete me të, për ta lënë përgjithmonë në këndin e letërsisë. Ajo ka rezerva për jetën e tyre dashurore, por kjo ka shumë pak rëndësi.

”Por përveçse filatelist, Lef Nosi njihet edhe si arkeolog,etnolog, folklorist dhe publicist. Janë të shumta shkrimet që patrioti Lef Nosi, i la trashëgimisë politike të viteve të pavarësisë dhe të monarkisë. I njohur si një antimonarkist i vendosur, Lef Nosi ishte një nga bashkëpunëtoret e Fan Nolit, i cili e emëroi si kryetar të bashkisë së Basenit, gjatë muajve që u zgjodh Kryeministër i Shqipërisë”...

Më tej në libër thuhet se Nosi mund të ketë vjedhur Dokumentin e Pavarësisë. Dhemegjithëse deri në vitin 1945, kur u pushkatua, pati 33 vjet kohë ta dorëzonte, nuk e bëri. Atëherë ku është Aktii Pavarësisë?”, pyet autori.

Shqipëria ka 100 vjet që pret për të mësuar të vërtetën”, shkruan Blushi e ky roman është një udhëtim përmes letërsisë në të vërteta që vijnë përmes shpirtrave të trazuar të një qyteti. Projekte e ëndrra të parealizuara, të mbetura diku në një cep të kujtesës, që papritur dalin në pah në biseda e rrëfime si për t’i dhënëstatusin e munguar personazheve, shpirtrat e së cilëve ende nuk kanë gjetur qetësi. “Babai kishte ëndërr të ndërtonte një aeroport, tha Ollga Sedini. Mendonte se kjo vepër do të bënte që, emri i tij të kujtohej përjetësisht. U konsultua me Lef Nosin dhe vendosën që aeroporti të ndërtohej në fushën e zezë,ngjitur me qytetin...”.

Ollga Sedini, vajza e Kandidatit, është që nga personazhet që i jep jetë historisë, duke na u shfaqur delikate e njëkohësisht aq interesante me jetën e saj. Në fund ashtu si të gjitha gratë që i kanë dhënë fund një historie, ajo kupton se e kishte dashur Lef Nosin. Në një mënyrë a një tjetër, dashuria shpaloset tek ne si gjëja që duam më shumë, pas betejave të forta që na jep jeta.

“Fluturat kanë një zakon, i thashë. Ndjekin gjithmonë erën e lules së parë që thithin. Por rrugës ndalojnë mbi lule të tjera.Shpresoj që të jetë e vërtetë edhe për ty, më tha dhe mëputhi në buzë”, shkruan Blushi.

I shkruar me një stil shkëlqyes, “Kandidati” është një nga romanet më të rëndësishëm në historinë bashkëkohore të letërsisë shqipe. Një roman që ashtu siç thotë Green gjithnjë mban fshehur një histori, për të na e shpalosur ashtu siç bëjnë librat e mirë, në një kohë tjetër./ab-Gazeta Liberale

https://youtu.be/pCkAGnjqw1Y

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH