Aktualitet

In Memoriam – Mjeshtrit Simon Gjoni/ Emblema "Lule Borë", si" O sole mio" dhe bashkëkohësja "Pod moskovnije veĉera"

Shkruar nga Liberale

Zhani Ciko

Këto rreshta përbëjnë një ndalesë personale në kujtim të një mjeshtri të vërtetë të muzikës sonë, të cilit sot i  përkujtojmë 30 vjetorin e largimit prej nesh; madje, në një kohë kur vepra e tij do të hynte në një horizont të ndryshëm nga kushtëzimet e gjysmës së shekullit të parë të jetës së tij, ku edhe u formësua si njeri e muzikant.

Simon Gjoni, biri i një familjeje të rame hershëm në Shkodër, i shfaqi prirjet muzikore në atë masë sa të gjente rrugën e të nxënit dhe madje të merrte një shkollim që, ende i ri, e lejoi të ishte pjesëmarrës në disa formacione muzikore të qytetit.

Zjarri i brendshëm që ai ndjente, “kombinime tingujsh të denja për t’i nxjerrë nga shpirti", e çoi tek përshfaqja e tyre me shokët e afërt që muzikonin me të. Kështu lindën disa syresh, si "Sy larusha", "Nana dhe çika", "Fyelli i çobanit" etj, për të cilat s'di se kush është e para dhe cila më e vlera. Di se, Simoni në këto vite ishte aftësuar të krijonte këngë, t’i shkruante, arranxhonte ato dhe t’i përgatiste për publikimet koncertore.

Me gjithë miqësinë personale të mëvonshme, sot më vjen keq që nuk më ka vajtur mendja ta pyes se kur dhe si u ndie kur, veç një këngë (që ai e kishte shumë për zemër), - e nxjerrë nga shpirti, një kryevepër, madje siç e kam gjykuar prej kohësh, jo vetëm një kryevepër për krijimtarinë vetjake, por një Kryevepër Kombëtare  - tani pa ekzagjerim konsiderohet "Këngë Emblemë".

E në këto raste, s'ka nevojë që një somitet muzikor a një komision i emëruar zyrash ta proklamojë këtë. "Vetë kënga e ndjen që është ajo emblema". “Lule Bora” e ndjeu që në Shkodër, në gjimnazin qytetas ku u shpalos, kur këndohej kudo dhe rëndom, dhe kur jonet e saj dëgjoheshin në gjithë hapësirën e kampit, me titullin "Serenatë shqiptare".

Djemtë e trios shqiptare të Moskës, Mula, Tukiqi dhe Athanas, të kudogjendur në veprimtaritë rinore të jetës studentore, me siguri do ta kenë informuar krijuesin e "Lule Borës" për suksesin dhe përhapjen e saj në gjithë kampin; madje, ndonëse teksti poetik, njësoj i përsosur si melodia e Zef Palit,  këndohej edhe e përshtatur a përkthyer në gjuhët e tjera!

Në Moskë, Barshavë, Bukuresht a Vjenë, ku mblidhej rinia për të demostruar miqësitë e saj brenda perdes, "Lulja e Simonit" njohu dhe emblemën e vendit prijës të kampit socialist, "Podmoskovnije veĉera", titull që njihet sot edhe nga ata që nuk ia njohin gjuhën dhe e këndojnë si "Lulen" tonë.

Emblematikja tjetër "Podmoskovnije veĉera", bashkëkohëse e emblemës sonë, lindi fillimisht në Leningrad sot San Petersburg, më 1955, me titullin "Mbrëmje Leningradase". Ministrja e Kulturës e BRSS së asaj kohe i sugjeroi kompozitorit të njohur të këngëve Vasilij Sollovjev-Sedoj, që ta kalonte nga qyteti i Leninit në Moskën e Stalinit, ku do mbahej Spartakiada Sportive dhe do ishte prezent vetë Gjenerali. Dhe kështu u bë! Mbrëmje edhe më të bukura u bënë ato të kryeqytetit me këngën e re. Më 1957, ajo u këndua në Festivalin Botëror të Rinisë dhe gjithandej, brenda dhe jashtë Perdes.

Çesk Zadeja, i mirënjohur jo vetëm për meritat e mëdha muzikore por dhe për humorin e tij, tha batutën emblemë antonomazike: "Muzikës s'ka perde që i reziston", lidhur me kontrollimin e saj.

Të dyja këto këngë i gjejmë kudo ku gëzohet dhe këndohet. Bashkë me to, edhe Emblema më e hershme e fqinjëve tanë përballë - "O sole mio", që më 1898 pushtoi pak nga pak kontinentin e vjetër dhe atë të riun. Eduardo di Capua, me poezinë e Giovanni Capurro e paraqitën fillimisht në një konkurs të Këngës italiane, ku fitoi çmimin e dytë.

"O sole mio" u bë emblemë botërore, prej gati dy shekujsh fame e fitimesh për gjithë këngetarët lirikë, të popit, xhazit e çdo lloj rryme që del në glob, ndërsa autorët e larguar nga kjo jetë prej kohësh mbetën në varfëri ekstreme, si shkak i gjyqeve mashtruese që s’ua kanë njohur të drejtat me kohë.

Di se familja e respektuar e Simon Gjonit, megjithë kohët që pasuan emigracionin në SHBA, sistemimin dinjitoz falë vlerave individuale dhe përpjekteve të angazhuara për të ruajtur statusin profesional, patën pjesë të angazhimit edhe gjallimin e portretit të njeriut të tyre, përmes ruajtjes, botimit dhe mbledhjes së regjistrimeve origjinale. Të lidhur pandalë me vendin e tyre, ata i kanë plotësuar më së miri detyrat atërore. Skeptikë për ndonjë kujdesje apo vlerësim brenda mundësive ekzistuese, qëndruan dinjitozë duke ofruar më shumë se kërkuan. Do të mjaftonin vetëm të drejtat e Emblemës që në normalitet të mbulonin buxhetimin e gjallesës Simoniane. Disa më të kujdesshëm, si dhe unë, kemi lejuar dhe marrë pjesë në përkujtimore a festivitete të jetës. Asgjë më shumë...

 Simon Gjoni dhe kontributi i tij në arritjet e gjithëkahshme të muzikës sonë të kultivuar.

Ishte domosdoshmëri që një muzikant krijues i tillë, të vijonte shkollimin e tij jashtë shtetit, si e vetmja mundësi atë kohë.

Në mesin e viteve '50 atij i jepet bursa për të studiuar në "Qytetin e Artë të Pragës", fillimisht në Konservator dhe më pas në Akademinë e Muzikës. Për një njeri serioz si Simoni, ishte zgjedhja më e mirë e mundshme që të përqafonte profesionin e dirigjimit. Dihet se në këtë profesion, studimi shkollor mund të kryhet në një moshë pjekurie dhe përvoje të mirë muzikore, jo si studimi instrumentor që i përket hershmërisë së viteve shkollore. Për talentin krijues që tashmë i kishte dhënë provat, sistemi shkollor muzikor pragez ishte më i përshtatshëm se ai moskovit. Dirigjimi dhe kompozicioni në Pragë shkonin gati në tandem. Kështu, ai i frekuentoi të dyja klasat. Pa u ndalur në ecurinë profesionale në detaje, që nuk është qëllimi i këtij shkrimi dhe as përgatitja ime studimore, Simon Gjoni u kthye në Shqipëri si dirigjent simfonik, madje edhe pas disa praktikave koncertore, njohës i mirëformuar teoretik muzikor dhe kompozitor. Emrat e shefave të rëndësishëm të dirigjimit çek, si Vaclav Smetaçek dhe Alois Klima, bageta të rëndësishme të Orkestrave të vlerësuara si ndër më të mirat në Europë, si dhe të tjerë somitete të disiplinave të tjera muzikore ishin garanci për shkollën që ndoqi dhe përgatitjen që përfitoi Simon Gjoni.

Gjatë studimeve të mia kam ndjekur kurse të rregullta të dhëna nga Prof. Simon Gjoni, sipas sistemeve teorike të profesoratit çek, të cilat i kam vlerësuar si shumë të dobishme.

Gjithashtu, Mjeshtri Simon Gjoni u bë për disa vite dirgjent i Orkestrës së Radios, ku unë isha pjesëtar që nga krijimi i saj. Me profesorin, puna në orkestër ishte një kombinim i punës në përmirësimin e cilësive bazë të orkestrës dhe përvetësimin e repertorit të ri, gjithmonë në rritje, si konceptuale, aq dhe teknike.

Cilësitë e punës dirigjentuore të mjeshtrit Simon Gjoni më janë kujtuar dhe vlejtur sidomos kur, për rrethana të veçanta të jetës time profesionale, m’u desh të hidhesha dhe vetë në praktikën e këtij specialiteti.

Në këto vite të hershme të 1963, pata fatin t’i përkushtohem interpretimit për herë të parë të Koncertit nr.1 për violinë dhe orkestër të kompozitorit Nikolla Zoraqi, unë si solist dhe Gjoni si dirigjent i veprës. Ishte një vepër shumë interesante, dhe që mbetet e komplikuar edhe sot.

Fakti që ky interpretim i përbashkët ekziston në CV tona respektive, tregon se dhe për dirigjentin Gjoni arritja ka qenë e vlerësuar. Kohët e fundit mbërrita ta gjej dhe rikondicionoj regjistrimin. U kënaqa vetë dhe me zemër falenderova Mjeshtrin për angazhimin e tij.

Kohët kanë pasur dallgët e tyre. Njerëz dhe artistë si Simon Gjoni, me vetitë dhe vlerat e mëdha të tyre meritojnë Panteonin e Artit kombëtar dhe më gjerë. Kur dëgjon vlerësime pneumatike që venë në pozitë dhe poseduesit butaforikë të tyre apo shkujdesjen e vetë institucioneve ku kanë kontribuar, më tepër i thua vetes, mos ji indiferent ndaj parardhësve, kujto dhe ndero sa të mundësh, sidomos artistë të tillë si Simon Gjoni, i denjë në krijimtari, i sinqertë në profesion, drejtues me emër dhe që nuk është fshehur pas politizimit.

Historia e Muzikës shqiptare nuk e ka luksin të humbasë asnjë! /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH