Është zbardhur dosja hetimore në lidhje me plagosjen e efektivit të forcave Shqiponja në Tiranë, Edlir Alleshi, nga një person që qarkullonte i armatosur. Bashkëshortja e këtij të fundit, Klerent Bozhanaj ka deklaruar se 42-vjeçari i kishte dhënë lekë djalit të tyre për të blerë fara dhe se po e priste jashtë banese.
Pas kontrolleve të ushtruara nga forcat policore, u konstatua se burri i saj ishte futur mes pallateve dhe se nuk kishte marrë vesh gjë për të, edhe pse kishin kaluar disa orë që ndodhej në arrati. Mes të tjerash ajo tha se kishte dëgjuar zhurma në lagje, por nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur.
“Rreth orës 18:50 minuta, të datës 20, disa punonjës policie të Shqiponjave, mes tyre efektivi i plagosur, kanë patrulluar me motor në afërsi të një kompleksi në territorin e komisariatit nr.4. Efektivët kanë konstatuar një person duke ecur në këmbë, që sapo i ka parë, është larguar me vrap.
Punonjësit e policisë i kanë bërë thirrje që të ndalonte, por personi i ka thënë; ikni ore, më lini rehat’ dhe është larguar duke mos ju bindur urdhrit të tyre. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje të këtij personi, i cili sapo është futur në hyrjen e një pallati ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të policëve, mes tyre Edlir Alleshi, i cili ka marrë plagë në bark. Më pas kolegu tjetër i ka ardhur në ndihmë policit të plagosur dhe e transportuan në spital. Më pas autori është fshehur.”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Theksojmë se 42-vjeçari u arrestua mbrëmjen e djeshme gati 24 orë pas ngjarjes së rëndë, ndërsa për arrestimin e tij u angazhuan gati 600 efektivë të Policisë.