Finalja e Conference League do të sjellë kufizimin e qarkullimit në kryeqytet, ku shumica e rrugëve do të jenë të bllokuara.
Policia e Shtetit ka bërë ndarjen e Tiranës në zona për qarkullimin e këmbësorëve dhe tifozëve dhe zona për qarkullimin e mjeteve.
Siç paraqitet në hartë, rrugët me ngjyrë të kuqë janë ato ku nuk do të lejohet qarkullimi i makinave. Me ngjyrë të verdhë paraqiten rrugët, ku do të jenë në gjendje të lëvizin vetëm automjetet e personave që kanë një biletë.
Me ngjyrë jeshile janë rrugët që do lejohet qarkullimi për fansat, stafin dhe policinë. Me ngjyrë kafe do të jenë rrugët e emergjencës. Ndërsa me ngjyrë blu janë rrugët që të çojnë në stadium.

Ndeshja mes Romës dhe Feyenoordit që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, në orën 21:00. Dita e mërkurë do të jetë pushim për institucionet arsimore dhe ato shtetërore, ndërsa ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi iu ka bërë thirrje bizneseve private dhe bankave, që të rishikojnë mundësinë e dhënies pushim për punonjësit e tyre.
Po ashtu, të mërkurën nuk do të lejohen të hyjnë në kryeqytet personat nga qytete të tjera, të cilët nuk kanë bileta për ndeshjen.
Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për menaxhimin e aktivitetit
– Eskortimin e ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoord nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
– Eskortimi i Personaliteteve të Larta të UEFA dhe Personaliteteve të tjera Shtetërore nga aeroporti i Rinasit në hotel dhe në kthim për në Rinas;
– Eskortimi i automjeteve me sportdashës të të dy ekipeve të futbollit nga Rinasi dhe Durrësi në Tiranë dhe në kthim;
– Garantimin e rendit publik në dy “Fan Zonat” ku do të qëndrojnë një pjesë e mirë e sportdashësve të të dy ekipeve, gjatë lëvizjes së tyre nga “Fan Zona” në stadium dhe largimin në përfundim të ndeshjes;
– Organizimin e pikave të kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium, në rrugën “Dervish Hima”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II” dhe tek kolonat në sheshin “Italia”;
– Mbështetjen e stjuartëve gjatë kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium;
– Organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrollin e territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
– Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
– Menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit etj.