Sport

FOTOT / Roma e tëra në 'çmenduri', pas natës magjike të Tiranës

Shkruar nga Liberale

Qyteti i Romës ka festuar gjatë gjithë natës fitoren e Ligës së Konferencës. Me qindra tifozë dolën dhe priten ekipin në aeroportin e Romës.

Pas fishkëllimës së fundit në Tiranë, ku mbrëmë u zhvillua finalja mes “Giallorossi” dhe Feyenoord, mijëra tifozë u derdhën në rrugët e qendrës së kryeqytetit për të festuar suksesin e skuadrës së drejtuar nga Josè Mourinho.

Festimet u përqendruan në zonat qendrore të kryeqytetit italian, nga Campo de 'Fiori deri në Lungotevere. Fishekzjarret nga Tor Marancia në San Paolo, nga Garbatella në Testaccio.

Nga ana tjetër, nuk pati asnjë kritikë, për sa i përket daljes së mijëra tifozëve Giallorossi që thyen edhe rregullat dhe ndoqën finalen në stadiumin Olimpik, ku ishin vendosur disa ekrane të mëdhenj.

Në të gjithë perimetrin e qendrës historike kishte rreth një mijë policë të angazhuar për të kufizuar çdo shqetësim apo episode dhune.

Gazetat më të mëdha italiane kanë pasur si titull kryesor fitoren historike të Romës, në Tiranë. "Roma, një kupë magjike", ka qenë titulli i "Il Messaggero".

Ndërkohë, ekipi me autobusin dhe trofeun e fituar në Tiranë, do të parakalojë në qendër të qytetit të Romës, ndërsa festimet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës.

Skuadra italiane e Seria A i rikthehet një trofeu të Kupave të Europës pas vitit të largët 1961. /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH