Ende pa nisur mirë kampionati botëror, kanë nisur parashikimet për gjysmëfinalistët dhe finalistët e Kupës së Botës FIFA 2022. Argjentina e Lionel Messit, Brazili i Neymar Jr. dhe Franca kampione në fuqi janë ndër favoritët për të fituar Kupën e Botës FIFA në Katar. Megjithatë, Universiteti i Oksfordit thotë që Brazili do të fitojë trofeun për herën e gjashtë.
Joshua Bull, një matematikan nga Universiteti i Oksfordit, ka parashikuar rezultatet e mundshme të Kupës së Botës, duke zbatuar aftësitë e tij të modelimit. Parashikimi fillon me fazën e grupeve, ku Holanda, Anglia, Argjentina, Franca, Spanja, Belgjika, Brazili dhe Portugalia pritet të përfundojnë të parat, ndjekur nga Ekuador, Irani, Meksika, Danimarka, Gjermania, Kroacia, Zvicra dhe Uruguai.
Në çerekfinale, Argjentina ka 56.5 për qind shanse për të mposhtur Holandën ndërsa Brazili ka 58.5 për qind shanse për të fituar kundër Spanjës. Në mënyrë të ngjashme, Franca ka 55.7 për qind shanse ndaj Anglisë, ndërsa Portugalia e drejtuar nga Cristiano Ronaldo pritet të humbasë betejën e ngushtë kundër Belgjikës në çerekfinale.
Sipas parashikimeve të Universitetit të Oksfordit, Brazili, Argjentina, Franca dhe Belgjika do të kualifikohen në gjysmëfinalen e Kupës së Botës FIFA 2022. Ndërsa Brazili është favorit për të mposhtur Argjentinën, Belgjika ka një mundësi të mirë për të mposhtur kampionët në mbrojtje. Këto parashikime thonë se në finalen e Kupës së Botës FIFA 2022 do të përballet Brazili me Belgjikën./Liberale.al