Sociale

Ende 10 vjet pas masivizimit, Diplomat Profesionale 1- 2 vjeçare të papërfillura nga Nëpunësi Civil dhe nga kushtëzimet e licencave

Shkruar nga Liberale
Ende 10 vjet pas masivizimit, Diplomat Profesionale 1- 2 vjeçare të

Mijëra të rinj, që mbarojnë arsimin e lartë, profesional, përballen me papunësi, pasi institucionet e administratës publike, por edhe ato private nuk e njohin këtë diplomë. Ky cikël studimesh nuk është i përfshirë, as në Ligjin e Nëpunësit Civil, që përcakton kriteret e kualifikimit për çdo profesion, dhe as në organigramë, duke i bërë nul këto diploma.

Xhuljana Micani vendosi të ndjekë degën e Menaxhimit Veterinar në Universitetin e Korçës pas promovimit që iu ishte bërë degëve profesionale nga kabineti qeveritar. Promovimi ishte shoqëruar me premtime për hapje të vendeve të reja të punës dhe paga të kënaqshme. Sot e reja, që mbaroi studimet me rezultate ekselente, mban në sirtar një diplomë “të kotë” 2-vjeçare, pasi institucionet, publike dhe private, nuk e njohin këtë titull akademik.

“Para se të nisja studimet, dëgjoja se është një degë që ka treg pune, – shpjegon Xhuljana. – Dëgjova se, pavarësisht se kishte një kohëzgjatje më të vogël, ti merrje profesionin dhe arrije një punë në zanat”, – rrëfen ajo, duke iu referuar një deklarate të ish-ministres së Bujqësisë, Frida Krifca, ku titullarja e lartë rendiste një sërë profesionesh, për të cilat Shqipëria kishte “uri”.

Prej 2 vitesh të gjitha aplikimet e saj për punë, qoftë në institucionet publike, qoftë në ato private, janë refuzuar. Pavarësisht se janë hapur studimet e larta, ky nivel studimesh nuk është i përfshirë në Ligjin e Nëpunësit Civil, që përcakton edhe kriteret e kualifikimit për çdo profesion, por as në organigramën e institucioneve të tjera.

“Pasi mbarova studimet e larta dhe doja të filloja punë, kuptova se shteti nuk e njeh diplomën e arsimit të lartë, 2-vjeçar”, – thotë e zhgënjyer Xhuljana Micani. Ajo rrëfen se diploma i është refuzuar dhe ajo është kategorizuar “pa arsimin përkatës”, qoftë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Korçë, qoftë nga klinikat private të veterinarisë.

“Për mua kanë qenë vite dhe investim i çuar dëm, pasi ende nuk kam gjetur një punë në profesion”, – thotë e reja.

Arsimi i lartë, profesional ofrohet nga 25 universitete publike dhe private në vend me një mundësi zgjedhjesh prej 114 profilesh. Vetëm përgjatë vitit akademik 2021-2022 më shumë se 1.600 të rinj morën një diplomë profesionale, por ata ndihen të “mashtruar”.

Ndonëse është miratuar si cikël studimesh, autoritetet “kanë harruar” ta përfshijnë në kriteret e punësimit të administratës publike dhe në organigramën e vendeve të punës, duke e bërë nul këtë diplomë.

Institucionet politikëbërëse janë të paqarta se ku kategorizohen këta “studentë” dhe as nuk premtojnë zgjidhje.

Vetë Ministria e Arsimit, që miraton hapjen e programeve të reja të universiteteve, i tha INA Media-s se nuk ishin kompetencë e saj arsyet se përse refuzohej kjo diplomë profesionale. Dikasteri i Arsimit ia delegoi kërkesën Departamentit të Administratës Publike (DAP), institucion, të cilit Investigative Network Albania i kishte adresuar një kërkesë për informacion.

Edhe përgjigjja e Departamentit të Administratës Publike është e vagullt dhe nuk sugjeron një zgjidhje për këtë kategori të rinjsh.

Duke iu referuar VKM-së nr. 142/2014, të ndryshuar, ku përcaktohet niveli minimal, arsimor i domosdoshëm për t’u punësuar në një pozicion pune në shërbimin civil, DAP shpjegon se niveli më i ulët i arsimimit është diploma Bachelor.

“Për sa iu përket punonjësve administrativë/mbështetës, të cilët nuk ushtrojnë funksione publike, por kryejnë veprimtari administrative, sekretarie, mirëmbajtjeje, shërbimi dhe ruajtjeje, për këto pozicione pune nuk kërkohet domosdoshmërisht një diplomë e njërit prej cikleve të studimit të arsimit të lartë, pra ekziston hapësirë për punësimin e të diplomuarve me diplomë profesionale të arsimit të lartë”, – thotë DAP në një përgjigje zyrtare, duke sugjeruar kështu që zgjidhja mbetet në vullnetin e punëmarrësit.

(Pa)mundësitë në tregun e punës

Aldo Shkalla ka përfunduar studimet e larta, profesionale në degën Kopshtari në Universitetin Bujqësor.

“Është humbje kohe të fillosh një degë të tillë. Treg pune nuk ka dhe paga nuk është e mirë, – thotë ai pa e fshehur zhgënjimin. – As nuk shpresoj të filloj punë në këtë degë”.

Pavarësisht nevojës për specialistë të kësaj kategorie, me të cilën po përballet vendi ynë, ky nivel arsimi është totalisht i painkuadruar në kriteret formale të punësimit. Niveli arsimor, referuar Ligjit të Nëpunësit Civil, përfshihet te kriteret e posaçme të punësimit dhe ato lidhen me specifikat e pozicionit dhe përshkrimin e punës, por institucionet kanë rënë në gjumë dhe këtë cikël studimesh nuk e kanë përfshirë as në kriteret e punësimit dhe nuk ekziston as në organigramë.

Referuar ligjit 80/2015, Diplomat Profesionale i përkasin nivelit të pestë të Kornizës Shqiptare të Kualifikimit dhe kanë 60 ose 120 kredite formimi me një kohëzgjatje prej një ose dy vitesh akademike.

“Diploma e lëshuar dhe e regjistruar sipas ligjit nuk ka arsye të mos njihet. Në institucionet shtetërore kanë hasur në keqkuptime të këtyre institucioneve, që vijnë si mosnjohje e Ligjit të Arsimit të Lartë. Gjithashtu, edhe në tabelën e pagave ka mangësi të mospërfshirjes së punonjësve të kësaj kategorie”, – thonë për INA Media-n burime nga Universiteti i Elbasanit, që janë përballur me vështirësitë e studentëve të tyre.

Por, institucionet shtetërore i referohen Ligjit të Nëpunësit Civil dhe ai nuk e ka të përfshirë këtë nivel studimesh.

“Lidhur me arsimin aplikanti duhet të zotërojë një diplomë të nivelit minimal, Bachelor, në fushat e kërkuara, sipas pozicionit vakant. Në varësi të pozicioneve vakante përcaktohet edhe niveli i diplomës (Bachelor, Master Profesional apo Master Shkencor) dhe fusha e studimit e aplikantit”, – thuhet në përgjigjen e AKU për Investigative Network Albania-n.

Vetë Drejtoria e Administratës Publike e përcakton se në vendet vakante niveli i kërkuar është ai Bachelor, fakt ky i vërtetueshëm lehtë te “Shpalljet” e këtij institucioni.

Universitetet këmbëngulin që diplomat profesionale duhet të përfshihen në listën e profesioneve të rregulluara të Departamentit të Administratës Publike. Bëhet fjalë për profesione të ndryshme si: asistent ligjor e administrativ pranë gjykatave e prokurorive, specialist hidroteknik, specialist elektrik, specialist transporti pranë ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve (Sh. A.), operatorë të OSHE (Sh. A.), operatorë të sektorëve të transportit pranë bashkive etj.

“Studentët pas përfundimit të një programi 2-vjeçar me karakter profesional fitojnë një Diplomë Profesionale, në përputhje të plotë me Ligjin 80/2015 për Arsimin e Lartë dhe si e tillë kjo Diplomë Profesionale njihet nga shteti shqiptar, por kërkohet që këto Diploma Profesionale të përfshihen në listën e profesioneve të rregulluara të DAP”, – thonë zyrtarisht nga Universiteti i Durrësit.

Universitetet shqiptare po përjetojnë një braktisje masive të auditorëve dhe kryesisht të degëve që lidhen me mësuesinë. Që nga viti 2013 e deri më sot shkollat e larta, publike kanë humbur 58 mijë studentë. As degët e reja, që ofrojë diploma profesionale, nuk ia kanë dalë të jenë joshëse për të rinjtë, duke bërë që numri i tyre të vijë duke u rrudhur çdo vit.

Gjatë vitit akademik 2021-2022 më shumë se 1.600 të rinj morën një Diplomë Profesionale. Aktualisht ky cikël studimesh ofrohet në 7 universitete publike dhe në 18 universitete private, me një ofertë prej 114 programesh studimi.

Me një diplomë “të pavlerë” në xhep Xhuljana Micani do të nisë studimet e larta Bachelor në të njëjtin profil, por këtë herë pranë Universitetit Bujqësor në Tiranë. Gjithçka do ta nisë nga e para, sikur të ishte një maturante e sapodiplomuar, duke iu zeruar 2 vitet e studimit.

“Studentët, që mbarojnë 2-vjeçarin, nuk mund të futen në Bachelor pa konkurs, pra duhet të hyjnë sërish në Maturën Shtetërore nëpërmjet sistemit të Maturës Shtetërore, por kreditet, që ata kanë grumbulluar gjatë dy viteve në studimet profesionale, mund të transferohen në Bachelor”, – shpjegon Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, Rektore e Universitetit Aleksandër Moisiu.

Rektori i Universitetit të Korçës, Dhimitër Bello, pranon se punësimi është më i sigurt, kur përfundon një Bachelor se sa një program profesional 2-vjeçar. Si pasojë ka rënë edhe interesi i studentëve për ndjekjen e arsimit profesional ndër vite.

“Programet 2-vjeçare kanë më pak regjistrim, sepse përzgjedhin më shumë Bachelor-in. Ta zëmë, Zyra e komunikimit, që ofron Universiteti i Korçës, është në rrezik mbylljeje”, – pranon rektori Dhimitër Bello.

Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare, një organizatë jofitimprurëse, që monitoron sistemin e arsimit të lartë, thotë se universitetet, kryesisht ato të rretheve, po i përdorin degët dyvjeçare si mjete mbijetese.

“Duke qenë se shumë degë Bachelor-i po mbyllen, universitetet e kanë gjetur 2-vjeçarin si shpëtim për të mbajtur gjallë dyert e universitetit apo qoftë për të mbajtur në punë disa pedagogë, të cilëve iu ka ikur koha”, – thotë Xhemollari.

Pirro Prifti, një ndër themeluesit e arsimit profesional në vitin 2007-2008 në Universitetin e Durrësit, Aleksandër Moisiu, në Fakultetin e Studimeve Profesionale, shprehet i zhgënjyer për vështirësitë ligjore, me të cilat hasen gjatë punësimit personat me arsim të lartë, profesional.

“Nuk ka një bashkërendim të punës me universitetet. Ministria e Punës nuk i ka detyruar institucionet publike që në organigramën e tyre të fusin me detyrim ato diploma profesionale, për të cilat universitetet nxjerrin studentë të diplomuar. Duke mos i futur ato në organigramë, studentët, që kanë mbaruar arsimin e lartë, profesional 1 apo 2-vjeçar, nuk gjejnë dot vend pune, sepse aty tek organigrama, që ka drejtori përkatës, nuk është ky specialitet apo ky profil”, – shpjegon profesor Pirro Prifti.

Elvis Alvora ka përfunduar studimet e larta, profesionale në degën Teknologji automobile, në Universitetin Aleksandër Moisiu, Durrës vitin e shkuar. Ende nuk ka gjetur punë as në bizneset private, ndërsa punësimin në shtet e sheh të pamundur.

“Me thënë të drejtën, është opsioni i fundit”, – thotë i riu

Sipas Rigels Xhemollarit, në 90% të rasteve të kritereve të punës së administratës publike, por dhe asaj private, kriteri i parë është të ketë diplomë Bachelor ose Master të të dyja niveleve, ndërsa shkolla e lartë, profesionale nuk figuron fare.

“Duke qenë ky kriter rekrutimi në administratë dhe jo vetëm, atëherë ky sigurisht mund të konsiderohet si një profil që nuk po iu shërben të rinjve për të bërë karrierë në administratë, por iu shërben si një mënyrë për të zgjatur jetesën e tyre në universitet, për të mbajtur universitetet në intubim, pra për të mos shkuar drejt mbylljes së tyre, sidomos ato të rretheve”, – përfundon Xhemollari.

Të diplomuar, por të papunë

Nevojat për punonjës janë të larta, por të parregulluara në organikë. Duhet ndërhyrje ligjore, që këto profesione të shtohen si pozicione pune.

“Ligjet janë bërë, por nuk janë bërë pjesët e tjera, që duhet të garantojnë, qoftë pagesën, qoftë vendin e punës”, – thotë profesor Pirro Prifti.

“Për shembull, QSUT ka nevojë për operatorë të kujdesit shëndetësor, të cilët janë jo në rolin e ndihmës-infermierit, por në rolin që ta transportojnë pacientin nga një vend në një vend tjetër; që të shkojnë në shtëpitë e moshës së tretë, duke e ndihmuar për t`u zhveshur, për t`u veshur, për ta shoqëruar me karrocë etj. Këtu te ne nuk janë, se nuk janë në organikë”, – sugjeron më tej ai.

Ekspertët e punësimit dhe të karrierës sugjerojnë se ngërçi zgjidhet vetëm me ndërhyrje në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe ndryshimin e kritereve të punësimit.

“Janë një nivel i ndërmjetëm tranzitor, që nuk klasifikohen, as si arsim i lartë dhe as si i mesëm”, – thotë Erion Muça, një ndër pedagogët e arsimit të lartë, profesional në Shqipëri.

“Duhet të bëhen ndryshime në Ligjin e Arsimit të Lartë dhe në atë për Arsimin dhe Formimin Profesional, me qëllim që ta kenë shkollat e mesme, profesionale në portofol dhe në meny, për të ndikuar në ndërtimin e një modeli, i cili do ta promovojë më pas në treg këtë nivel kualifikimi”, – thotë më tej ai.

Kostoja për student në programet e studimit me karakter profesional është 100.000 -215.000 lekë sipas përllogaritjes së vetë universiteteve.

Sipas Ministrisë së Arsimit, financimi i studentëve, që ndjekin këto programe, është pjesë e fondeve total që marrin IAL-të publike. Pra, për një buxhet 14.5 miliardë lekë në vitin 2023 me një numër studentësh në total 96.000, kostoja mesatare për një student arrin në 151.354 lekë.

“Në Arsimin e Lartë Publik financimi i studentëve, që ndjekin programet profesionale 2-vjeçare, është pjesë e fondeve që marrin IAL-të publike, sipas formulës së miratuar me VKM nr. 75/2018. Këto fonde nuk administrohen në program buxhetor më vete, por janë pjesë e programit buxhetor për IAL-të publike 09450”, – thotë Ministria e Arsimit në një përgjigje për INA Media-n.

Kjo kosto është rritur nga viti në vit dhe në vitin 2025 pritet të arrijë në 162.553 lekë.

Në Universitetin e Shkodrës kostoja për një student, që ndjek këtë nivel studimesh, është 100.000 lekë, ndërsa në atë të Elbasanit, 214, 438 lekë.

23-vjeçari Endri Kula është më optimist. Në përfundim të studimeve për Teknik për pajisje elektronike pranë universitetit privat, Barleti, shpreson të gjejë punë në një kompani private nëpërmjet kontratave që universiteti mundëson për studentët. Për studentët e 111 degëve të tjera mundësitë e punësimit në profesion janë të vështira.

Degët e arsimit të lartë, profesional sipas universiteteve

Universiteti Fan Noli, Korçë

Universiteti Luigj Gurakuqi, Shkodër

Universiteti Aleksandër Xhuvani, Elbasan

Universiteti Aleksandër Moisiu, Durrës/ Autore: Enxhi Musaj- Investigative Network Albania

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH