Aktualitet

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: “Rithemelimi” në karambol agjendash

Shkruar nga Liberale
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: “Rithemelimi” në karambol

Ervis Iljazaj

Protesta e thirrur nga “Rithemelimi” në 11 shkurt është një protestë, e cila nuk kuptohet qartë se çfarë qëllimi ka. Në fakt, qëllimi i dhënë publikisht është largimi i qeverisë pas skandalit të ish-zyrtarit të FBI-së ku përmendet emri i kryeministrit, Edi Rama. Deri këtu nuk ka asnjë problem, pasi ky rast në mos një skandal juridik përbën një skandal politik me patjetër. Mirëpo, një forcë politike ka instrumente në zotërim që mund t’i përdor për një kauzë të tillë, si për shembull grupin parlamentar, gjykatat apo marrëdhëniet diplomatike për të ngritur zërin apo për të kërkuar informacione. Duket sikur protesta, në pamundësi apo paaftësi për të përdorur mjetet normale në këtë rast, ka mbetur si një mjet i fundit.

Megjithatë, në protestën e 11 shkurtit “Rithemelimi”, duket në një paqartësi politike apo më keq akoma, në një karambol agjendash që krijojnë një kaos politik, pa asnjë objektiv dhe qëllim të qartë.

Për shembull, çkuptim ka të protestosh dhe të harxhosh energji pa fund në një protestë, e cila zhvillohet vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve. Protesta është një instrument ku thirren njerëzit për të ngritur zërin kundër qeverisë apo politikave të caktuara. Dhe, kjo bëhet nëse s’ke mundësi të tjera për ta shprehur pakënaqësinë ndaj një qeverie apo ndaj një kryeministri. Ndërkohë që zgjedhjet po afrojnë. Mjafton të çosh njerëzit te kutia e votimit dhe detyra është kryer. E gjithë energjia e harxhuar për të organizuar një protestë fare mirë mund të përdoret për të sjellë votues në votime, ku të shprehin në mënyrë më efikase kundërshtinë ndaj këtij pushteti.

Çkuptim ka të protestosh, kur tashmë opozita duhet të kishte ndezur motorët e fushatës. Nuk kuptohet në këtë rast nëse "Rithemelimi" do të fokusohet te protestat apo te fushata e cila paraqitet një nga sfidat më të vështira të opozitës për shumë arsye. Normale do të ishte që opozita të fokusohej te fushata elektorale, ku ende nuk duket qartë se çfarë strategjie apo vizioni ka për qeverisjen lokale. Ende nuk është dëgjuar ndonjë plan apo ide për zhvillimin e qyteteve dhe rigjallërimin e tyre. Ende është e paqartë se si "Rithemelimi" me kandidatët e tyre do të arrijnë të përballen me një pushtet të konsoliduar. Si të thuash, e gjitha kjo histori, duket si një harxhim kohe dhe energjish që shmang betejën e vërtetë politike, e cila është ajo për pushtetin lokal.

Çkuptim ka të protestosh kur ende nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët midis grupeve që janë krijuar brenda Partisë Demokratike. Dhe, kështu e përçarë, shanset për të fituar zgjedhjet lokale bëhen minimaliste. Duket sikur ndarja brenda PD-së tashmë është fakt dhe asgjë s’po bëhet më në këtë drejtim. Të protestosh për një hetim që e ka në dorë FBI-ja, një nga agjencitë më prestigjioze në botë dhe mos të bësh asnjë përpjekje për të bashkuar Partinë Demokratike, padyshim që është një ngatërrim agjendash dhe një mjegull politike që s’të çon asgjëkundi.

Për të gjitha këto arsye, agjenda politike e “Rithemelimit”, duket në një kaos të plotë ku ngatërrohen qëllime, objektiva dhe strategji. E pamundur për tu fokusuar të qëllimet politike reale dhe që janë imediate, të cilat duhet të kishin përbërë prioritet, protesta e 11 shkurtit, me sa duket do të përdoret për të thënë se ne ekzistojmë. Edhe njëherë, si shumë nga aktivitetet politike të cilat ka zhvilluar kohëve të fundit “Rithemelimi”, objektivi është për ta legjitimuar atë dhe drejtuesin e saj në krye të punëve të opozitës.

Por edhe ky qëllim, si për shembull zgjidhja ligjore e drejtimit të PD-së, zgjidhja politike e bashkimit të saj apo edhe ajo diplomatike, duke qenë se është një lëvizje e izoluar ndërkombëtarisht, nuk realizohet nëpërmjet protestave. Protesta në këtë rast, jo vetëm që s’ka një qëllim të qartë, por përkundrazi, krijon një kaos më të madh se sa kaosi që ekziston te opozita shqiptare./Liberale.al/

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH