Aktualitet

Dy koncesionet e reja të rrugëve, kompanitë 1.45 mld euro të ardhura (pa TVSH) në skenarin bazë

Shkruar nga Liberale
Dy koncesionet e reja të rrugëve, kompanitë 1.45 mld euro të

Në gusht të vitit të shkuar, qeveria hapi në një ditë tre procedura që kishin në objekt rrugë të reja me koncesion për një afat 35-vjeçar.

Kontratat parashikojnë projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmenteve më pas te shteti, kur afati përfundon.

Pas Lekaj-Konjat-Fier, ku fitues ishte një bashkim operatorësh dhe që u njoftua vitin e shkuar, tashmë janë shpallur edhe fituesit e dy segmenteve të tjera: Kashar-Pezë-Lekaj dhe Milot-Thumanë.

Të ardhurat në skenarin bazë 1.45 miliardë euro(pa tvsh)

Kompanitë e të dy koncesioneve kanë të drejtën e shfrytëzimit të rrugës dhe arkëtimit të tarifave për 35 vjet. Sipas skenarëve bazë të publikuar për secilin projekt parashikohet që të arkëtohen në 35 vjet 1.45 miliardë euro pa TVSH për Milot-Thumanë dhe Kashar-Pezë-Lekaj.

Konkretisht për të parën pagesa e rrugës nis në vitin 2024 dhe përfundon në 2056. Të ardhurat e vlerësuara sipas rastit bazë llogariten mbi 291 milionë euro ndërkohë që qeveria do të ofrojë garanci për 17 vjet, duke nisur nga viti i parë i operimit e deri në vitin 2040.

Kjo në kuptimin që nëse nuk sigurohet trafiku bazë sipas planit të biznesit qeveria do të paguajë diferencën. Maksimumi i garancisë për këtë periudhë është në total 4.56 milionë euro.

Ndërkohë për aksin e dytë Kshar-Pezë Lekaj skenari bazë për të ardhurat llogaritet në 1.16 miliardë lekë për 35 vite dhe arkëtimi nis nga 2026 deri në vitin 2056.

Sa i takon garancisë në dokumente specifikohej se koncesionari mund ta marrë këtë “shumë mbështetëse për garancinë” përgjatë periudhës se Koncesionit dhe mbulon nga viti i pare i operimit deri ne 2042 – vjetore. Shuma totale për garancinë nuk mund të tejkalojë vlerën 48.630.905 Euro”.

Kashar-Pezë-Lekaj, ku do të kalojë

Segmenti më i kushtueshëm deri më tani nga lista me tre projekte të shpallura në të njëjtën kohë për t’u dhënë me koncesion është ai Kashar-Pezë-Lekaj.

Vlera e investimit sipas dokumenteve të MIE më herët llogaritej në 475 milionë euro pa TVSH por vlera reale që kanë ofruar kompanitë fituese pritet të shihet në finalizimin e kontratës.

Rruga që po kalon me koncesion është 26.6 kilometra dhe fillon pranë nyjës së Kasharit në seksionin Tiranë – Durrës dhe përfundon me nyjën pranë seksionit rrugor Plepa – Rrogozhinë (pranë zonës së Lekaj).

Qeveria parashikon që kjo rrugë të jetë me pagesë dhe në vlerësimin e ofertës luan rol garancia që ka kërkuar kompania për trafikun si dhe tarifa për kalimin në të. Deri më tani nuk ka asnjë element të zbuluar për këto kërkesa dhe sa është ofruar.

Me një përllogaritje të thjeshtë nga shifrat e publikuara më herët tarifa e përafërt në skenarin bazë ishte rreth 3.2 euro. Por çfarë parashikon në fakt koncesioni në fazën e ndërtimit duke qenë se vlera është e konsiderueshme.

“Seksioni Kashar – Pezë Helmës: Seksioni i propozuar, një autostradë e plotë Kat A, do të jetë një karrexhatë e dyfishtë me dy korsi, me një ndarëse korsish dhe korsi të emergjencës.

Gjatësia totale do të jetë afërsisht 2 km. Seksioni e ka origjinën në Kashar, në ndërprerjen e propozuar me autostradën ekzistuese Tiranë-Durrës (Autostrada Kombëtare, SH2).

Pjesa e parë ndan të njëjtën shtrirje me bypassin e propozuar të Tiranës, duke përfunduar në veri të Pezë-Helmes. Para se të kalohet në lumin Erzeni do të ndërtohet një shkëmbim i ri në veri të Pezë-Helmes që lidh korridorin AIC me autostradën e re të Bypassit të Tiranës.

Për të kuptuar operacionin më të gjerë të rrjetit një kryqëzim i ri me një karrexhatë të vetme ekzistuese rruga Tiranë-Durrës (SH56) do të ndërtohet në rrugën anësore të Tiranës, afërsisht 1.2 kilometra në lindje të ndërprerjes së sipërpërmendur.

Sigurimi i rrugëve të reja të shërbimit përgjatë të dy anëve të autostradës duhet të shqyrtohet dhe merret parasysh me kujdes, në ndërtimin e autostradës së re.

Shtrirja e re (rreth 2 km) dhe interseksioni i Kasharit me autostradën Tiranë ‐ Durrës do të ndërtohet në kuadër të këtij projekti. Gjatësia është lënë jashtë (rreth 7 km) nuk përfshihet në këtë projekt. Do të mbulohet/mbivendoset nga bypassi i Tiranës (në ndërtim e sipër).

Seksioni Pezë Helmës – Luzi i Vogël: Seksioni i propozuar, një autostradë e plotë Kat A, do të jetë një karrexhatë e dyfishtë me dy korsi, me një ndarëse korsish dhe korsi të emergjencës. Gjatësia totale do të jetë afërsisht 24.6 km.

Shtrirja kalon nëpër një numër luginash të ngushta dhe kodra të pjerrëta të përbëra nga formacione të buta gjeologjike. Vlen për t’u përmendur se për shkak të këtyre karakteristikave të terrenit kërkohet ndërtimi i tuneleve dhe urave dhe të merren disa masa mbrojtëse nga pjerrësia (në varësi të modelit përfundimtar të detajuar).

Përveç kësaj, nuk kërkohet ndonjë shpronësim i gjithësishëm i banesave pasi kalon kryesisht nëpër zona rurale me densitet të ulët. Kjo pjesë arrin në zonën Luzi Vogël-Lekaj (Kavajë) në seksionin tërthor me autostradën ekzistuese Durrës-Rrogozhinë (autostradë kombëtare SH4), e cila është gjithashtu pjesë e Korridorit të 8-të” thuhet në dokument.

Milot-Thumanë investimi që parashikohet

Segmenti Milot-Thumanë parashikohet të ketë një gjatësi 13.5 kilometra. Vlera e investimit e parashikuar në dokumentet e tenderit ishte 44.6 milionë euro por mbetet për t’u parë sesa është vlera për të cilën është pranuar oferta nga MIE. Tarifa e mundshme sipas skenarit bazë për kalimin në rrugë llogaritet në 60 cent. Por cilat janë ndërhyrjet që parashikohen në rrugë.

“Seksioni 1: Milot – Thumanë Ky seksion ekzistues është një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2×2 (A1), me një trafikndarëse dhe korsi emergjence. Gjatësia totale është rreth 13.5 km dhe do të përmirësohet në një autostradë të plotë të Kategorisë A, së bashku me rrugët e shërbimit dhe sistemet e nevojshme ITS.

Seksioni kalon nëpër zona bujqësore me shumë vendbanime rurale/urbane të vendosura në të dy anët e rrugës. Një numër i konsiderueshëm i zhvillimeve të pakontrolluara të banesave/biznesit janë shtrirë në formë shiritash, me shumë hyrje/dalje të pakontrolluara në autostradën kryesore, duke paraqitur rrjedhimisht një rrezik të madh për sigurinë e trafikut dhe të përdoruesve lokalë.

Kjo pjesë, megjithëse është ndërtuar si një rrugë emergjente, ekzistojnë disa elementë të rëndësishëm rrugor të cilët ose nuk janë të projektuar siç duhet, të pamjaftueshëm në numër ose që mungojnë krejtësisht, siç janë nënkalimet/mbikalimet, gardhet e sigurisë, rrugët e shërbimit dhe hyrjes/daljet e kontrolluara” thuhet në dokumente. /Monitor

[gallery columns="1" size="full" ids="1328673,1328674"]

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH