Aktualitet

"Demokracia dhe paqja duhen mbrojtur çdo ditë", fjalimi i Gentiana Sulës gjatë marrjes së Çertifikatës së Mirënjohjes nga UET

Shkruar nga Liberale
"Demokracia dhe paqja duhen mbrojtur çdo ditë", fjalimi i

Nga Dr. Gentiana Sula*

I nderuar rektor, e nderuar dekane, Të nderuar miq,

Dëshiroj t ju falënderoj thellësisht për nderimin që i bëtë punës së madhe për një qasje të papenguar në dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit, duke më akorduar “Çmimin e mirënjohjes UET- Për kontributin e saj në ndërtimin e një institucioni modern, efikas dhe kritik, në ndërgjegjësimin e padrejtësive të së shkuarës në Shqipëri, në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe të unitetit kombëtar, përmes promovimit të të drejtave të njeriut, demokracisë, kulturës së transparencës dhe llogaridhënies”. Vlerësoj komisionin që më përzgjodhi për ketë çmim, duke ju siguruar që puna ime nuk është një punë e vetmuar, por e një grupi përherë në rritje e gjeneratave të larmishme, që është bërë pjesë e reflektimit shoqëror mbi diktaturën komuniste , dënimit të krimeve te komunizmit dhe nderimit për përpjekjet e pareshtura për demokraci e paqe shoqërore.

Sigurimi pothuajse 5 dekada kontrolloi në qelizë, jetën e çdo shqiptari, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim ruajtjen e  pushtetit të një klike, përmes terrorit, mbikëqyrjes dhe përndjekjes. Gradualisht, por çdo dite po gjejnë përgjigje pyetjet që mbanin pezull vetëreflektimin shoqëror, për një jetë me të drejta njerëzore, për një shoqëri më demokratike, për një mjedis shoqëror në paqe e harmoni mes vetit. Më lejoni dhe një herë të theksoj se edhe pse ky është një çmim personal,  do të mbetet gjithmonë rezultat i një pune kolektive, që përfshiu jo vetëm kolegë që iu bashkuan institucionit por edhe të gjithë atyre që duke përdorur shërbimet e institucionit bënë të mundur rritjen e zhvillimin e tij organik në atë që është sot.

Të nderuar pjesëmarrës,

Brezi im erdhi në ketë botë në kohën që kamp-burgu i Spaçit sapo ishte mbushur me “mish te freskët” dhe bëhej gati të hapte dhjetëra kilometra galeri bakri e piriti, që do mbanin më gjatë në këmbe diktaturën, Ndërkohe në botën perëndimore, lulëzonte lëvizja për të drejta civile, shpërthente Woodstock-u, shkohej në hënë. Por ne nuk dënim gjë se çfarë ndodhte në perëndim.

Ndonëse puna me të shkuarën mori 10 vite nga karriera ime profesionale, pasojat e jetës në diktaturën komuniste unë nuk i mësova gjate punës sime. Në fakt unë u rrita me tregimet e kursyera mbrojtëse të tim eti: shpronësime, dënime të padrejta, vdekje të pahetuara. Trokitje të befta te kushërinjtë, funerale të vetmuar, shkollat e nxënëseve me të zellshëm që herë nuk dilnin apo mezi dilnin.

Dëshmova  lotët e dhembshurisë së miqve e dashamirëseve të padukshëm, që vizitonin natën njëri tjetrin, që ndanin një pjesë nga rrogat e vogla që merrnin për të ndihmuar “ata që kishin ra ne burg” që qanin si fëmije nëse rrjeta e merimangës së policisë politike i kishte ngatërruar kundra njëri tjetrit…. U rrita me dashurinë për jetën, pranimin e fatit por mbi te gjitha duke respektuar paraardhësit e mi, dhe për tu bërë edhe më e mirë se ata.

Lexoja me obsesion dikur një libër të Archibald Cronin: “Tej fasadës”. Ishte historia e dikujt që u dënua padrejtësisht dhe sidomos përpjekjet e djalit të tij Polit, për të gjetur drejtësi dhe për të shlyer dëmin moral që kishte pësuar i ati. Më dhembte fakti që edhe pasi fitoi pafajësinë, ishte shumë e vështire për gjithë familjen  të shlyheshin gjurmët e thella të ndarjes, vuajtjeve të padrejta.  Njëjte si Poli, i druhesha fatit të gjyshit tim. Përsa kohë varri i gjyshit nuk gjendej, unë si fëmije prisja të vinte në derë, një ditë, një burrë i gjate, i cili mund të ishte dërrmuar nga jeta e vështirë në burg.

Dhe mua më duhej ta përqafoja ketë fat e të luftoja për padrejtësitë ndaj tij dhe për shërimin e plagëve… Të nonës, të babit, Pikërisht këta paraardhës të mi, më kanë dhënë motivin për tu thelluar për realitetin tone, për të bërë diçka për ta ndryshuar. Sidomos për të luftuar një sens të pafuqisë ndaj tiranisë, që paralizon forcat jetësore që nuk dua kurrsesi ta përjetojnë fëmijët e mi, duke bërë diçka për të mbrojtur fëmijët e mi, nga frika e të shmangshmes.

Dy fjalë për UET

Krenaria ime sot buron edhe nga fakti se kjo qasje po vlerësohet pikërisht nga komuniteti akademik, ku UET mban një pozicion nderi. Tek UET kemi gjetur një komunitet lektoresh dhe studentësh shumë të gatshëm për të studiuar pa komplekse. Kemi dëshmuar një jetë të gjallë aktive intelektuale dhe filozofike të paprecedente, që na jep shpresë për një Shqipëri që pulson mendim modern dhe të vlefshëm. Besoj se UET demonstron kurajo intelektuale, destinuar për “vepra te mëdha” që është dhe moto e këtij universiteti.

UET ishte i pari që botoi një dosje. Atë të paredaktuarën dosjen e Sigurimit të të madhit Maks Velo. Një akt shumë kurajoz ky, duke ditur se jeta private s’kishte asnjë vlerë për Sigurimin e Shtetit dhe përballjet në opinion publik nuk do të mungonin.  Maksi dhe UET e përballuan këtë debat publik me kurajo. Por siç thotë Maja Angelou “Kurajo është virtyti më i lartë moral, sepse pa kurajo, nuk mund të ushtroni asnjë virtyt tjetër në mënyrë konsistente. Mund të ushtroni virtyte aty këtu, por për ta bërë këtë në  mënyrë konsistente, duhet kurajo.

E njëjta kurajo dëshmohet sot përmes dokumenteve arkivore krijuar për rebelë, disidentë apo martirë të ndërgjegjes. Kujtoj me emocion dosjen e parë që shfletova me Florindën në 2016. Qëndresë dhe qartësi. Kurajo dhe konsistencë morale. Një foto e arrestimit të Musine Kokalarit përdoret rregullisht për bibliotekën “Musine Kokalari” në AIDSSH. Një foto madhështore tjetër e saj është në gjyq, ku organizon një mbrojtje që na vlen ne sot si traktat politik për një axhendë të papërmbushur të “patriotizmit demokratik” siç e quan ajo, të një Shqipërie evropiane.  E sa e sa të tjerë gjejmë si ajo.

Është debatuar mjaft për faktin se veprat e tyre të vogla, ndonëse u bënë me dashuri të mëdha e sakrifica sublime, nuk patën efekt në terrin komunist. Pas rënies së diktaturës, ata u panë më shumë si viktima të pushtetit  që duheshin kompensuar për vuajtjen.  Por sot përditë e më shumë po qartësohemi për vlerat e atyre, që zgjuan më herët se të tjerët, duke na frymëzuar dhe sot në përpjekje për demokraci perëndimore, paqe e pajtim. Duke na dhuruar forcë e busull morale për vendimet që marrim, qoftë në jetën personale, qoftë në botën profesionale.

Duke krijuar terrenin për një ringritje shpirtërore, që ngrihet mbi përçarjet, polaritetet, mashtrimetë, që forcon besimin tek një e ardhme më e mirë e Shqipërisë.

*Kryetare Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit http: www.autoritetidosjeve.gov.al E-mail zyrtar: [email protected]

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH