Letërsi

“Dekalogu i një lagjeje tiranase”

Shkruar nga Liberale
“Dekalogu i një lagjeje tiranase”

“Dekalogu i një lagjeje tiranase”, është një tjetër botim i ri, nga Shtëpia Botuese Berk, i cili vjen me nënshkrimin Krymi, duke sjellë një rrëfim autentik, pa emra autorësh, si një ogur për gjithsecilin lexues që të gjejë një copëz të historisë së tij në këto rrjeshta.

Një shoqëri mund të rrëfehet qoftë edhe përmes breznive të një familjeje të vetme, e madje, edhe përmes një personazhi të vetëm që ka jetuar në tri kohë, për të pare të ngrihet e të ndërrojë një qytet.

Duke rrëfyer historinë dhe ndeshtrashat e një familjeje tradicionalisht tiranase përgjatë periudhës së para Luftës dhe asaj socialiste, libri nxjerr në pah rrugicat e kahershme të Tiranës, zakonet, gatimet, traditat, kremtet, dukuritë dhe kulturën e përbashkët të një Tirane tashmë të humbur në turravrapin zhvillimor, i cili zhbën shumë nga e kaluara.

I ndërtuar në 10 kapituj, si 10 urdhëresa të qytetit të vjetër, “Dekalogu i një lagjeje tiranase” është një lexim i bukur e i thukët “nën hardhi”, i cili nëpërmjet rrëfimit të jetëve njerëzore përgjatë shtatë dekadave, krijon një panoramë të historisë dhe etnokulturës së Tiranës.

Dekalogu vjen gjithashtu si një homazh ndaj arkitekturës lokale dhe "pa autor", asaj arkitekture e cila formësoi dhe u formësua nga 'modus vivendi’ i tiranasve. Në përfundim të tij, urojmë t’ju kemi lënë me një sërë pyetjesh të rëndësishme, thonë autorët pa emra të këtij libri.

…Si nuk shkonte më në shkollë, Safeti zbuloi dy pasione të mëdha. I pari qe ai që trashëgoi nga gjyshja – fuqia shëruese e bimëve – pasion të cilin e ushtroi deri në fund të jetës. Përgatitja e melhemeve dhe përzierjeve bëhej me barna dhe erëza që ia sillnin me porosi ose i mblidhte vetë në rrëzë të Dajtit, duke krijuar koleksione të tëra me lëngje e pluhura të ndryshëm që i përdorte sipas rastit. Emri i saj filloi të njihej gjerësisht si Mjekja Popullore e Rrugës së Kavajës. Që nga gratë e ambasadorëve, si për shembull Anna, gruaja e ambasadorit Paolo Foresti, e cila vuante nga një shqetësim stomaku, e deri te njerëz të thjeshtë, që nga bajamet e deri te djegiet e rënda e masazhet terapeutike, ishin të shumtë ata që frekuentonin oborrin e shtëpisë. Fjala vjen, një nga lëngjet për tretjen e gurit të veshkave që përgatiste përbëhej nga kungulli i egër, i cili lihej një kohë të caktuar, sa të fermentohej bashkë me përzierës të tjerë. Sa herë që i dozonte masat, nuk harronte t’u shpjegonte familjarëve të pranishëm me shumë pasion: Duhet me bo shumë kujdes me masat, se kungulli i egër myt i kalë ngaqë është i helmët… /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH