Njëra klasë e katërt në shkollën 9-vjeçare 7 Marsi në Tiranë nuk ka zhvilluar asnjë orë mësimore, pasi mungon mësuesja për shkak të disa problemeve shëndetësore. E pazakonta në këtë histori është se mësuesen e 17 nxënësve e ka zëvendësuar një nxënëse e klasës së shtatë, ndaj prindërit janë ngritur në protestë.
Këta nxënës duhet të ishin të ulur në bankat e klasës së tyre e jo të qëndrojnë jashtë kangjellave të shkollës duke kërkuar të zhvillohet mësim. Pavarësisht se shkollat kanë filluar mësim që nga 11 shtatori, një klasë e 4 në shkollën 9-vjeçare 7-Marsi ka gati një javë që nuk zhvillon asnjë orë mësimore pasi nuk kanë mësuese. Duket si protestë e pazakontë ku fëmijët kërkojnë një të drejtë themelore: Duan mësim.
"Duam mësuese për fëmijët që të vazhdojë mësimi rregullisht", tha një nga prindërit për Report tv.
Më e pazakonta qëndron në faktin së mësuesen e 17 nxënësve të kësaj klase Mimoza Jeshili nuk e ka zëvendësuar jo një tjetër mësuese, por një nxënëse e klasës së shtatë, e cila është ngarkuar që të mbajë qetësi në klasë.
"Mësuesja na ka pyetur çfarë lojërash luajmë", tha një nxënës.
"Zysha vinte dhe na thoshte mbani qetësi se klasat e tjera po bëjnë mësim", shtoi një tjetër.
“S’kanë bërë asgjë në shkollë, kanë shkuar kot, nëse mësuesja aktuale ka probleme të kishin sjellë mësuese zëvendesues për fëmijët… Ne i sjellim në shkollë për të mësuar jo për të qendruar kot…”, thanë prindërit.
"Që kur ka filluar shkolla e kam sjellë ditën e parë doli një mësuese dhe tha nuk është mësuesja e tyre. Na tha lërini fëmijët, por ne i lamë në mirëbesim", tha një prind tjetër.
Një nga risitë e këtij viti shkollor, e prezantuar nga Ministria e Arsimit ishte vendosja e mësuesve në dispozicion, pikërisht për të mbuluar mungesat në staf për arsye të ndryshme, por kjo nuk ka ndodhur.
“Nuk duam nxënës të klasave te tjera, duam mësuese tjetër, të na shpjegojë, të na japë detyra”, tha nxënësi.
Prindërit thonë se prej dy ditësh kanë kërkuar takim me drejtorin e shkollës Alfred Jani, por nuk i ka pritur dhe as sqaruar. Madje ai ka shkuar edhe më tej, duke njoftuar policinë, me pretendimin se prindërit e kanë fyer.
Prindërit e nxënësit e klasës 4A kërkojnë zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi dhe marrjen e masave që fëmijët e tyre të vijojnë procesin mësimore si të gjithë fëmijët e tjerë.