Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është pritur nga Sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Suella Braverman në Home Office. Një njoftimin nga ministria bëhet me dije e gjatë takimit janë adresuar çështje të tilla si emigracioni i paligjshëm dhe krimi i organizuar.
Ministri i Brendshëm i bëri një propozim konkret homologes së tij britanike, për të amnistuar shqiptarët pa viza në Mbretërinë e Bashkuar, por që punojnë ndershmërisht dhe s’kanë rekorde kriminale në ngarkim.
“Qasja jonë është se emigracioni i paligjshëm nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit përmes rrugëve legale. Në këtë pikë i kërkova homologes Braverman të rishikojnë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale. I kërkova gjithashtu të amnistojë çdo shqiptar pa vizë, por që punon në mënyrë të ndershme dhe nuk ka rekorde kriminale në ngarkim”, deklaroi ministri Çuçi.