Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka mbrojtur vendimin e tij për t’i dhënë biznesmenit miliarder, Elon Musk, një rol të rëndësishëm në administratën e tij si kreu i Departamentit të Efiçiencës Qeveritare (DOGE), mes kritikave për ngrirjen e financimeve për USAID-in, që ndikoi në programet për ndihmë të huaj në mbarë botën.
Trump kufizoi punën e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar kur urdhëroi një ngrirje 90-ditore të shpenzimeve më 24 janar.
Ky vendim preku shumë biznese dhe organizata jofitimprurëse në Ukrainë, të cilat tani po përballen me vështirësi. Ai gjithashtu ndikoi në programet e ndihmës për njerëzit në Afganistan.
Trump dhe Musk e komentuan këtë vendim gjatë intervistës së tyre të parë të përbashkët televizive, e cila u transmetua më 18 shkurt në Fox News, një media konservatore amerikane.
Trump tha se mori vendimin për të ngrirë financimin e USAID-it sepse paraardhësi i tij, ish-presidenti Joe Biden, kishte shpenzuar më shumë sesa që duhej, përfshirë ndihmën e huaj që, sipas tij, nuk i shërbente interesave të SHBA-së dhe kishte rritur deficitin.