Një grua 38-vjeçare humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Selanik, Greqi, pasi një bombë që mbante me vete shpërtheu para se të arrinte ta vendoste në një bankomat. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 pranë një filiali banke në qendër të qytetit.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, gruaja mbante një pajisje shpërthyese në një çantë dhe planifikonte ta vendoste atë në bankomat. Pasi e la pajisjen pranë ndërtesës së bankës, ajo u largua disa metra, por u kthye dy herë për të kontrolluar pse bomba nuk kishte shpërthyer. Gjatë kthimit të dytë, pajisja shpërtheu në duart e saj, duke i shkaktuar plagë të rënda. Ajo u dërgua në spitalin “Ippokrateio”, por nuk arriti të mbijetojë.
Shpërthimi shkaktoi dëme materiale në ndërtesën e bankës, dyqanet përreth dhe automjetet e parkuara në afërsi. Banorët e zonës raportuan një shpërthim të fuqishëm që u ndje si një tërmet.
Policia greke ka përjashtuar motivet terroriste, duke theksuar se viktima ishte e njohur për autoritetet për përfshirje në aktivitete kriminale, përfshirë grabitje, falsifikim, prostitucion, trafikim lëndësh narkotike dhe posedim armësh.
Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar bashkëpunëtorë të mundshëm.