Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka shkarkuar mesnatën e 9 shkurtit dy ministra të Qeverisë teknike nga radhët e Aleancës për Shiptarët (ASH), Fatmir Mexhiti dhe Azir aliu.
Mexhiti dhe Aliu mbanin përkatësisht postin e ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Administratës dhe Shoqërisë Informatike, pas zgjedhjes së qeverisë teknike. Shkarkimi i tyre ka ardhur pasi kishin mbështetur propozimin e kësaj partie që në zgjedhjet e majit t’i bashkoheshin bllokut opozitar shqiptar – Lidhja Evropiane për Ndryshim, teksa ky vendim ka sjellë tensione e polemika të shumta mes partive në pushtet dhe opozitë.
Në arsyetimin e kërkesës për shkarkimin e tyre, kryeministri teknik, Talat Xhaferi ka thënë se nuk ka vërejtje për punën dhe profesionalizmin e ministrave Mexhiti dhe Aliu, por pas bashkimit të tyre me Arben Taravarin, duhet të largohen, pasi në Qeveri nuk mund të jenë dy subjekte opozitare. Qeveria teknike, që ka mandat 100 ditë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ka në përbërje edhe opozitën maqedonase të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja.
Ministri i shkarkuar, Fatmir Mexhiti akuzoi partitë në pushtet se shkarkimi i tij është iniciuar për interesa politike dhe se pas kësaj, sipas tij, qëndron partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Shkarkimi i ministrave vjen një javë pas formimit të Qeverisë teknike, më 28 janar. Në vend të tyre, të hënën, më 12 shkurt, pritet të emërohen Ilir Demiri si ministër i Shëndetësisë dhe Naim Bajrami si ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike.