Bujar Bukoshi, ish-kryeministri i Kosovës u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare, pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
Ish-kryeministri në ekzil i Kosovës, ishte një nga figurat më të rëndësishme të skenës politike dhe shëndetësore.
Bukoshi ka mbajtur postin e kreut të qeverisë së Republikës së Kosovës nga viti 1991, deri në vitin 2000. Po kështu, ai ka mbajtur dhe postin e Ministrit të Shëndetësisë në Kosovë.
Bukoshi ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Ai u vendos si kryeministër në ekzil më 1991, dhe për rreth një dekadë punoi nga Gjermania për të sensibilizuar botën perëndimore për represionin serb në Kosovë.
Ai lindi më 13 maj 1947 në Suharekë. Bukoshi përfundoi studimet e mjekësisë në Universitetin e Beogradit, në vitin 1971 dhe u specializua në urologji në Prishtinë dhe Beograd më 1977. Më pas vijoi edukimin në Gjermani me bursa prestigjioze si ajo e DAAD dhe Senatit të Berlinit, ndërsa në vitin 1985 mbrojti doktoraturën në fushën e onkologjisë urologjike në Berlin.
Përveç kontributit të tij si mjek dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ai luajti një rol kyç në themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku u zgjodh sekretar i përgjithshëm.
Pas viteve '90 u pushua nga puna nga regjimi serb për arsye politike, si një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe gjithashtu ishte anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.
Bujar Bukoshi do të mbahet mend si një ndër figurat më të përkushtuara të kohës së rezistencës paqësore dhe të periudhës së ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ai la pas bashkëshorten, Dr. Zana Bukoshi, tri vajzat Ora, Shota dhe Nita, si dhe nipërit Dardan e Taulant.