Kosova

Kosova në pritje të qeverisë së re, Albin Kurti para 'misionit më të vështirë'

Shkruar nga Liberale

Kosova në pritje të qeverisë së re,  Albin Kurti para

Në javën e 7 pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, formimi i qeverisë së re duket i paparashikueshëm dhe bashkimi i forcave një proces i ndërlikuar.

Në një reagim për Vizion Plus, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë tha se për të bërë certifikimin e rezultatit duhet të presë fillimisht vendimet e Gjykatës Supremeve për ankesat që janë bërë nga subjektet politike.

“Aktualisht procesi zgjedhor është në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 15 mars 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë vendimet e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë.

Gjithashtu një nga ministrat e qeverisë Kurti, Hekuran Murati ka thënë se Vetëvendosja si parti e parë po pret certifikimin e rezultatit për të nisur bisedimet.

 “Në lidhje me këtë çështje po besoj vlen ajo çfarë ka thënë kryeministri. Pra që fillimisht do të presim përfundimin e procesit të numërimit, certifikimin e rezultateve, konstituimin e Kuvendit e pastaj edhe mund të flasim për formimin e qeverisë”, u shpreh Hekuran Murati.

Megjithatë, Vetëvendosja duket se do ta ketë shumë të vështirë gjetjen e partnerëve për koalicion mes partive shqiptare dhe as me partitë minoritare jo serbe nuk i plotëson numrat.

Si rrjedhojë kjo parti mund të tentojë që të bllokojë formimin e institucioneve përmes mosemërimit të kandidatit për kryetar Kuvendi.

Një rol pritet të luajë edhe emri i presidentit që do të pasojë Vjosa Osmanin vitin e ardhshëm, gjë që do të vështirësonte nga ana tjetër përpjekjet e opozitës për të bashkuar forcat.

Me mandatet që siguroi në këto zgjedhje, Vetëvendosja mund të bllokojë e vetme miratimin e presidentit të ri në parlament, gjë që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH