Sot shënohen 26 vite që nga rrethimi dhe rënia e familjes së Jasharëve në Prekaz.
Në 26 vjetorin e rënies heroike të komandatit legjendar, Adem Jashari dhe dëshmorëve të tjerë, Qeveria e Kosovës e ka njohur si “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Çdo vit më 5 Mars mbahen homazhet në varrezat e familjes Jashari në Prekaz.
Më 5, 6 dhe 7 Mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat militare serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje, mes tyre gra dhe fëmijë.
Nga familja Jashari të cilët ishin prezent gjatë sulmit arritën t’i shpëtoj vetëm Bashkimi Jashari, djali i Rifatit, tani Komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili mes datës 5 dhe 6 mars arrin të largohet nga rrethimi serb, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ishte fshehur në një magje të miellit, por që pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.
Më 24 Mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.
Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.
Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 Shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.
Pas vdekjes, Adem Jashari u bë simboli i luftës së Kosovës dhe pavarësisë së vendit. Shtëpia e familjes Jashari u kthye në shtëpi përkujtimore. Ndërsa përballë shtëpisë gjenden edhe varrezat e dëshmorëve që humbën jetën në sulm.
Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.